Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit
Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale janë finalizuar 11 operacione, konkretisht:
3 operacione në qarkun Fier, të koduara “Holder”, “Coins”, të dyja të zhvilluara në Lushnjë, dhe “Gjurmët”, i zhvilluar në Divjakë, gjatë të cilave u vunë në pranga 3 shtetas, u sekuestruan dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, vepra arti për trafikim dhe armë të mbajtura pa leje, si dhe u zbardhën vjedhje në subjekte private;
3 operacione në qarkun Lezhë, të koduara “Red Wine”, “Panorama” dhe “Shtegu”, gjatë të cilave janë arrestuar 3 shtetas, njëri prej tyre në kërkim, dhe janë sekuestruar mallra të kontrabanduara dhe lëndë narkotike;
3 operacione në Tiranë, të koduara “Request”, “Pretendimi” dhe “Catch”, gjatë të cilave janë kapur 5 shtetas në kërkim për vepra të ndryshme penale, janë arrestuar 2 shtetas dhe është proceduar 1, për mashtrim me pasoja të rënda, kanosje dhe armëmbajtje pa leje;
1 operacion në portin e Durrësit, i koduar “Yellow Line”, gjatë të cilit janë arrestuar në hyrje 2 shtetas që tentuan të futnin në Shqipëri një sasi farash Cannabis Sativa, me qëllim kultivimin e tyre;
1 operacion në Durrës, i koduar “Reagimi”, për kapjen në kohë rekord të një shtetasi që kërcënoi me mjet prerës një shtetas dhe i mori celularin, një shumë parash dhe çelësin e automjetit.
Janë kapur 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 5 shtetas të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 9 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë, për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Është proceduar penalisht 1 shtetase, pasi ka bllokuar rrugëkalimin e këmbësorëve në rrugën “Skënderbeu”, Kamëz, duke ndaluar automjetin e saj në mënyrë të parregullt, dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të liruar rrugën.
Janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 4 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim dokumentesh.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
