Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 7 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, zbardhjen e vjedhjeve, dhënien e ndihmës emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kapjen e shtetasve në kërkim.

Janë kapur 6 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 7 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste. Për 1 rast është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, ndërsa për rastin tjetër po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë arrestuar 7 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 20 vjeç, pasi dje, në Pakuqan, duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin dhe, si pasojë, motomjeti është rrëzuar. Nga aksidenti janë dëmtuar shtetasi D. S. dhe një shtetas i mitur që udhëtonte me të, të cilët po marrin mjekim në spital.

Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë.

Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 3 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 1 shtetas për kontrabandë mallrash.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.