Kukës/Zhvillohet forumi “Siguria është prioritet”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, në përfundim të Forumit “Siguria është prioritet”, në Kukës, iu përgjigj pyetjes së gazetarit për ngjarjen e ndodhur në Vlorë dhe për sjelljen e punonjësve të Policisë së Kuçovës gjatë shoqërimit të një shtetasi.

Pyetje: Zoti Drejtor, ngjarja e djeshme në Vlorë, por edhe ngjarja e shoqërimit të prindit në prani të fëmijëve, padyshim ka sjellë, po themi, një element jo pozitiv për sa i përket veprimeve të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm: “Policia ka qenë gjithmonë e angazhuar. Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, me marrjen e njoftimit, në momentin e parë u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë nën masën e arrestit në flagrancë, dhe vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, në këto momente që jemi bashkë, vazhdojnë veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i të gjitha pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve. Ndërsa, për rastin e Kuçovës, vërtet ishte i drejtë shqetësimi për veprimet e punonjësve të Policisë, veçanërisht pasi ato ndodhën në sy të fëmijës.

Prandaj, për këtë arsye, kemi bërë pezullimin e tyre nga detyra. Kur punonjësit e Policisë nuk kryejnë detyrën e tyre funksionale në përputhje me procedurat standarde, po marrim masa ndëshkimore sipas procedurave tona. Kështu që, situata në përgjithësi e sigurisë paraqitet normale dhe ky takim sot këtu na vlejti për të marrë opinionin e gjithë qytetarëve, për të marrë pretendimet dhe ankesat, që do të gjejnë vëmendje të shtuar te punonjësit e Policisë, për zgjidhjen e të gjitha problematikave.

Është takim i vlefshëm për Policinë. Siç e keni parë edhe në komunikimet tona të mëparshme, kemi qenë më të hapur si me mediat, ashtu edhe me publikun dhe komunitetin. Këto takime, në këtë format, ku janë shefat e komisariateve, drejtorët vendorë dhe të gjitha strukturat e tjera, japin premisa që të zhvillohemi më shumë, të marrim më shumë feedback nga komuniteti dhe e gjithë kjo të kthehet në besim dhe siguri për të gjithë qytetarët.”