Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Është finalizuar 1 operacion për goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike. U arrestua 1 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 shtetas, si dhe u sekuestruan doza të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.

Është ndaluar 1 shtetas që ishte në kërkim si bashkëpunëtor në goditjen e një 37-vjeçari me sende të forta dhe me sëpatë, ngjarje e ndodhur më datë 29.06.2026, në Vlorë. Gjithashtu, është kapur 1 shtetas në kërkim për dhunë në familje.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 10 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe janë asgjësuar bimë të dyshuara narkotike.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 3 autorë të arrestuar, 11 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Gjithashtu, u arrestua një 37-vjeçar, pasi dyshohet se ka dëmtuar derën e banesës së një shtetasi dhe e ka kanosur atë me armë gjahu, për motive të dobëta.

Është dërguar në spital, për mjekim, një 41-vjeçar, i cili dyshohet se ka konsumuar lëndë të dyshuar narkotike Heroinë. Ai vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

U arrestua 1 shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi ka kanosur një punonjës Policie.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 9 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e 2 drejtuesve të mjeteve që janë larguar nga vendi i aksidentit.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, trafikim mjetesh motorike dhe falsifikim dokumentesh.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.

Shkodër / Informacion paraprak

Rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë të Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e shtetasit H. F., ndaj të cilit Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, në mbikëqyrje policore, pasi është në hetim për veprën penale “Vrasja me dashje”, kanë konstatuar se ky shtetas ishte larguar nga banesa.

Menjëherë pas konstatimit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë organizuar kontrolle në banesa dhe në ambiente të tjera, në të cilat dyshohet se mund të jetë fshehur ky shtetas.

Grupi hetimor dhe AMP vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit. Ndërkohë, vijojnë kontrollet për gjetjen e shtetasit H. F.