Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i angazhimit maksimal dhe reagimit në kohë të strukturave të Policisë së Shtetit, janë finalizuar 3 operacione policore, konkretisht:

– 1 kundër armëmbajtjes pa leje. Është arrestuar 1 shtetas. Është sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak;
– 1 për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Janë ndaluar 2 shtetas. Janë sekuestruar bimë/fidanë kanabisi dhe një sasi lënde narkotike kanabis;
– 1 për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për disa vepra penale. Në automjet u gjet një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Janë sekuestruar sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë dhe fidanë narkotikë kanabisi. Gjithashtu, janë kapur dhe ndaluar 2 shtetas që ishin të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë arrestuar 3 shtetas pasi kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes, me 2 autorë të arrestuar, 1 autor të shpallur në kërkim dhe 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Është evidentuar 1 rast i krimeve ekonomiko-financiare, me 1 autor të arrestuar.

Është evidentuar 1 rast në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 autorë të arrestuar, 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.

Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 shtetas të tjerë që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Po ashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas pasi është larguar nga vendi i aksidentit.

Janë proceduar penalisht 38 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 8 shtetas për mosdeklarim të të hollave në kufi, falsifikim dhe trafikim të mjeteve motorike, kalim të paligjshëm të kufirit, etj.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.