Shkodër/U konfliktuan për motive të dobëta dhe qëlluan me armë zjarri, për të kanosur njëri-tjetrin, vihen në pranga 2 shtetas

Shkodër

U konfliktuan për motive të dobëta dhe qëlluan me armë zjarri, për të kanosur njëri-tjetrin, vihen në pranga 2 shtetas.

Shpallet në kërkim 1 shtetas, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit, municion luftarak dhe 4 kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e datës 25.06.2026, në lagjen “Tre Heronjtë”, arrestuan shtetasit:

-N. L., 63 vjeç dhe A. F., 27 vjeç, të dy banues në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër.

Nga hetimet dyshohet se shtetasit A. F. dhe N. L. (fqinj) janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë zjarri, për të kanosur njëri-tjetrin. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së shtetasit N. L. dhe një automjet i parkuar në oborr.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. L., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. F., gjetën municion luftarak dhe 4 kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol.

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim shtetasi A. F., 26 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk ka kallëzuar.

Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.