Fier
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka vlerësuar me Certifikatën e Karrierës, punonjësit e strukturave të DVP Fier, Nënkomisar Vasillaq Ziu dhe Nënkomisar Agron Nako, të cilët përfunduan karrierën e tyre pas 40 vitesh shërbim në strukturat e Policisë së Shtetit.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore e Policisë Fier, Drejtori i DVP Fier, Drejtues Erion Ahmeti, dhe zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit, Kryekomisar Alket Ahmetaj, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, iu dorëzuan Certifikatat e Karrierës, nënkomisarëve Vasillaq Ziu dhe Agron Nako, me motivacionin “Për kontributin e vyer të dhënë gjatë viteve të punës në radhët e Policisë së Shtetit.”
Gjatë karrierës së tyre 40-vjeçare, oficerët Vasillaq Ziu dhe Agron Nako janë dalluar për profesionalizëm, korrektësi dhe integritet, duke shërbyer me përkushtim dhe duke u bërë shembull për kolegët dhe brezat e rinj të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në përfundim të ceremonisë, dy efektivët falënderuan drejtuesit, për certifikatën e akorduar, si dhe iu uruan kolegëve të tyre, suksese të mëtejshme në përmbushjen e detyrave.


