Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Si rezultat i angazhimit të strukturave policore, është finalizuar 1 operacion kundër armëmbajtjes pa leje. U arrestua 1 shtetas, u sekuestruan 2 armë zjarri dhe municion luftarak.

Janë kapur 4 shtetas që ishin në kërkim për krime kundër personit, veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe vjedhje.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë asgjësuar 650 bimë dhe fidanë narkotikë Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 1 autor të arrestuar, 15 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

Janë arrestuar 10 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Interpol Tirana ka ekstraduar nga Holanda, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, të cilin Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.

Tiranë/Informacione paraprake

-Më datë 01.06.2026, në Kamëz, është gjetur pa shenja jete në banesë, një 37-vjeçar. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk u konstatuan shenja dhune/dëmtime. Paraprakisht dyshohet se ai ka humbur jetën për shkaqe natyrale.

-Më datë 01.06.2026, është vetëhedhur nga dritarja e dhomës ku po merrte mjekim, në repartin e toksikologjisë, QSU, një 41-vjeçar, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. Aktualisht po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe është në gjendje të stabilizuar.

 

Lushnjë / Informacion paraprak

Rreth orës 01:45, të datës 02.06.2026, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë.

Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.