Velipojë/Shkeli perimetrin e sigurisë, me mjet lundrues, ndëshkohet me masë administrative

Velipojë

Shkeli perimetrin e sigurisë me mjet lundrues, Policia Kufitare shoqëron drejtuesin dhe bllokon mjetin lundrues.

Në përfundim të procedurave, drejtuesi i mjetit lundrues do të ndëshkohet me masë administrative me vlerë 100.000 lekë të rinj.

Shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare dhe ato të Stacionit të Policisë Kufitare Velipojë kanë intensifikuar masat, duke shtuar ndjeshëm patrullimet në vijën bregdetare të Velipojës.

Gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim nga pushuesit se një mjet lundrues tip Jet Ski kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Velipojës, duke rrezikuar sigurinë e personave që bënin plazh.

Ky rast ishte filmuar nga qytetarët dhe ishte publikuar edhe në portalin JOQ.

Menjëherë, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Velipojë dhe Njësia Policore Detare kanë ndërhyrë dhe kanë konstatuar mjetin lundrues tip Jet Ski, me drejtues shtetasin R. Gj.

Në përfundim të procedurave administrative, drejtuesi i mjetit lundrues do të ndëshkohet me masë administrative me vlerë 100.000 lekë të rinj.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë për pushuesit që bëjnë plazh në zonat e përcaktuara.