DVP Tiranë/Ndalohen 2 shtetas të tjerë në kërkim, në vijim të operacionit të koduar “Catch”.
Si rezultat i kontrolleve dhe punës informative, shërbimet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë kësaj faze të operacionit “Catch”, lokalizuan dhe ndaluan 2 shtetas të shpallur në kërkim. Konkretisht:
-shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kapën shtetasin D. S., 55 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi”;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, kapën shtetasin D. A., 26 vjeç, për të cilin, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit E. M., 38 vjeç dhe A. D., 26 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, i gjetën secilit, sasi Kokaine. Lënda narkotike për të dyja rastet u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset e huaja, R. M. dhe C. C., pasi ushtronin prostitucion në apartamente të marra nga secila, me qira.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. M., pasi dyshohet se ka mashtruar subjektin ku punonte, duke mos i shlyer një detyrim financiar;
-V. L., pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë shuma parash, shtetases R. M.;
-F. A., pasi dyshohet se nuk ka paguar qiranë për një automjet, me të cilin gjithashtu dyshohet se ka lëvizur jashtë shtetit, pa autorizimin e subjektit qiradhënës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasen F. D., e cila është dënuar me 15 ditë burgim, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik“.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim shtetasit:
-I. Sh., pasi dyshohet se me automjetin që drejtonte, ka përplasur automjetin e shtetasit F. A.;
-A. Xh., 31 vjeçe, pasi dyshohet se ka përplasur me automjetin që drejtonte, automjetin e shtetases M. K., të cilën gjithashtu dyshohet se e ka kanosur;
-F. M., pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash, shtetasit J. B..
Punohet për shoqërimin e 3 shtetasve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rasteve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasin A. Sh., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. A., pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur xhaxhanë e tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit D. P. dhe L. P., pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur shtetasin Sh. H.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. H., pasi dyshohet se ka kanosur ish-të dashurën e tij, nëpërmjet thirrjeve/mesazheve telefonike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. A., pasi dyshohet se aksidentalisht, gjatë punës në subjektin që administron, është dëmtuar shtetasi A. R., 41 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 shpallën në kërkim një të mitur, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një shtetase. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit S. V. dhe B. P., pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin F. LL., 37 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjet, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. D., pasi me motomjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësoren, shtetasen A. Sh., 42 vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen E. Ç., pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin V. H., 70 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Dje, kallëzoi shtetasja H. B., se në një llogari false në rrjete sociale, bëheshin postime fyese për të. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë / Vijojnë goditjet kundër krimeve ndaj pronës , arrestohen 3 shtetas për vjedhje të ndodhur në Vlorë dhe Sarandë
Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve dhe si rezultat i veprimeve intensive hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 3 shtetasve të dyshuar për vepra penale kundër pronës.
Në lidhje me një rast vjedhjeje me dhunë, të ndodhur më datë 30.03.2026, rreth orëve të mbrëmjes, në lagjen “1 Maji”, në qytetin e Vlorës, u arrestuan dy autorët e dyshuar, të cilët i kanë vjedhur me dhunë portofolin me një shumë parash shtetases J. K., 39 vjeçe, banuese në Vlorë.
Shtetasit e arrestuar janë:
-B. T., 18 vjeç;
-një 16-vjeçar;
të dy banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit ndaj tyre, specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, gjetën dhe sekuestruan shumën monetare të vjedhur, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu, më datë 30.03.2026, rreth orëve të pasdites, në qytetin e Sarandës, një shtetas ka vjedhur nga automjeti i shtetasit L. T. një çantë, në të cilin ndodheshin dokumente personale dhe çelësa.
Falë reagimit të shpejtë dhe punës së mirëorganizuar të Policisë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar:
N. Ç., 66 vjeç, banues në Sarandë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë për veprën penale “Vjedhja”.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Më datë 31.03.2026, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Vlorë ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 10, të datës 25.03.2026, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin J. G., 60 vjeç, banues në Himarë.
Me këtë vendim, shtetasi J. G. është dënuar me 6 muaj e 10 ditë burgim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Specialistët e Seksionit të trafikut Urban dhe Interurban të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin K. Gj., 35 vjeç, banues në Vlorë, pasi në rrugën “Gjergj Kastrioti”, dyshohet se ka përplasur me automjet, një 68-vjeçare, këmbësore, ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit. 68-vjeçarja po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. A., 39 vjeç, banues në Vlorë, pasi dje, në një automjet në pronësi të tij (aktualisht jofunksional) u gjetën dhe u sekuestruan 2 ndezës granatash.
Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.
Qarku Durrës
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. F., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka trafikuar një automjet, i cili nga ekspertimi teknik rezultoi me numër shasie të klonuar. Automjeti u sekuestrua.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. H., 33 vjeç, banues në Sukth, me detyrë përgjegjës sektori në një subjekt, pasi një punonjëse e subjektit është dëmtuar gjatë punës, në dorë, nga një send metalik.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin D. S., 23 vjeç, banues në Shkallnur, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij. Punohet për kapjen e 23-vjeçarit.
U kap shtetasi në kërkim Sh. F., 29 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për veprën penale “Dhuna në familje”. Pas komunikimit me Prokurorin, u vendos që ky shtetas të procedohet në gjendje të lirë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. X., 34 vjeç, banues në Kavajë, pasi gjatë një konflikti, ka goditur me grushte një 52-vjeçar.
Specialistët e DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. C., 29 vjeç, banues në Kukës, pasi në hyrje të SPK Port Durrës, nga verifikimit e kryera automjeti i tij rezultoi i vjedhur në vitin 2025, në Kanada.
Specialistët për Kontrollin e Konteniereve referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi në Terminalin e Konteniereve të Portit Detar Durrës, është konstatuar se një kontenier kishte dëmtime në pjesën e parme të tij dhe se i mungonte plumbçja e sigurisë. Paraprakisht dyshohet se dëmtimet mund të jenë shkaktuar gjatë ngarkimit apo shkarkimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Gj. Gj., 58 vjeç, banues në Vaun e Dejës dhe Y. G., 69 vjeç, banues në Shkodër, pasi secili ushtronte veprimtari në subjekt tregtar, pa e regjistruar në organet tatimore;
-A. A., 35 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi nga verifikimet e kryera në lokalin që administronte u konstatua se nuk lëshonte kupona tatimorë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-L. A., 23 vjeç, banues në Shkodër, pasi është konfliktuar fizikisht me shtetasin J. O., 20 vjeç, banues në Shkodër, për motive të dobëta;
-M. H., 21 vjeç, banues në Shkodër, si dhe për një shtetas 15 vjeç, pasi ka kallëzuar shtetasi Gj. P., 25 vjeç, se më datë 31.03.2026, 15-vjeçari i ka marrë çantën ku mbante sendet personale dhe nuk ia ka kthyer më, si dhe se është konfliktuar me shtetasin M. H., i cili e ka goditur me grusht.
Më datë 01.04.2026, u gjet në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë dhe u dërgua në banesën e saj, në gjendje të mirë shëndetësore, shtetasja B. H., 36 vjeçe, për të cilën kishte kallëzuar vëllai i saj, më datë 31.03.2026, se ishte larguar nga banesa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan shtetasin E. Q., 38 vjeç, banues në Përmet, pasi dyshohet se gjatë periudhës 2019-2025, kur ka qenë i punësuar llogaritar/arkëtar në degën e Postës Shqiptare në Përmet, ka vjedhur shuma të konsiderueshme parash nga arka e postës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, pasi ka kallëzuar shtetasi F. Z., 44 vjeç, banues në Memaliaj, se i kanë përdorur të dhënat e tij personale për të krijuar nëpërmjet sistemeve kompjuterike, një llogari bankare dhe karta debiti në një bankë në Spanjë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë
Vlorë/Arrestohet në flagrancë një 14-vjeçar që drejtonte automjetin në mënyrë të rrezikshme dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë. Dëmtohen 2 punonjës Policie gjatë detyrës.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me oficerin e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Vlorës, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të një shtetasi 14 vjeç.
Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, rreth mesnatës, në lagjen “24 Maji”, kanë konstatuar një automjet që drejtohej nga i mituri, i cili po kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë për ndalim, por drejtuesi nuk i është bindur urdhrit, ka rritur shpejtësinë dhe ka tentuar të godasë shërbimet e Policisë me automjet.
Pas disa minutash ndjekjeje, në vendin e quajtur “Kinoteatri”, shërbime të tjera Policie i kanë bërë sërish shenjë për ndalim, por ai ka vijuar lëvizjen dhe ka goditur automjetin e Policisë, duke shkaktuar dëmtimin e 2 punonjësve të Policisë në detyrë.
Në vijim të ndjekjes, drejtuesi ka braktisur automjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Dy punonjësit e Policisë të dëmtuar morën ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Veprimet procedurale u kryen në prani të psikologut, mbrojtësit ligjor dhe nënës së të miturit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trajtimin e të miturve.
Automjeti që drejtonte 14-vjeçari u bllokua, ndërsa pronares së automjetit (nënës së tij) iu pezullua leja e drejtimit dhe iu vendos masë administrative, sipas parashikimeve të Kodit Rrugor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale:
“Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”,
“Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”,
“Shkatërrimi i pronës”.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë prindërit që të ushtrojnë kontroll dhe përgjegjësi të vazhdueshme prindërore, duke mos lejuar në asnjë rast drejtimin e automjeteve nga të miturit, pasi këto veprime rrezikojnë seriozisht jetën dhe shëndetin e tyre, të përdoruesve të tjerë të rrugës, si dhe të vetë punonjësve të Policisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin Th. K., 67 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 16-vjeçare.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin B. V., 68 vjeç, banues në fshatin Greshicë, Mallakastër, pasi duke drejtuar automjetin, ka përplasur shtetasin F. Ç., 55 vjeç, këmbësor, i cili po merr ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin J. M., 39 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 14-vjeçar, pasi dyshohet se ka vjedhur disa sende në një banesë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Malësi e Madhe
Kontrolle intensive në territor për parandalimin dhe goditjen që në fazën përgatitore të tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Faza e parë”.
Asgjësohen një numër i konsiderueshëm filizash të dyshuar kanabis, të kultivuar në platforma polistiroli.
Arrestohen tre shtetas, procedohen penalisht dy të tjerë dhe një shpallet në kërkim.
Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatrat Bajzë dhe Gruemirë Çezmë disa persona po kishin mbjellë fara kanabisi në platforma polistiroli, shërbimet e specializuara në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe, të mbështetura nga Forcat e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Faza e parë”.
Si rezultat i operacionit, në fshatin Bajzë, u evidentuan një numër i konsiderueshëm filizash të dyshuar kanabisi, të kultivuar në platforma polistiroli, me qëllim kultivimin e tyre në tokë.
Platformat me filiza u shkatërruan gjatë operacionit, ndërkohë që një pjesë e tyre u sekuestrua nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale.
Si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale u arrestuan shtetasit: E. Q., 29 vjeç, B. Q., 23 vjeçe dhe A. Q., 26 vjeçe (familjarë), të tre banues në fshatin Bajzë.
Po në vijim të operacionit, në fshatin Gruemirë Çezmë, në një magazinë u konstatuan edhe disa platforma të tjera polistiroli, në të cilat ishin kultivuar filiza dhe fara narkotike të dyshuara kanabisi.
Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi B. R., 52 vjeç, banues në fshatin Gruemirë Çezmë, dhe nisi procedimi penal për shtetaset E. R., 41 vjeçe, dhe Z. R., 75 vjeçe, banuese në këtë fshat.
Vijon puna për kapjen e shtetasit B. R., si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit✅
#nëçdoskajtëvendit
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin D. D., 39 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, si dhe gjatë kontrollit në banesë ju gjet një peshore elektronike dhe mbetje lënde të dyshuar kokaine, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. P., 33 vjeç, banues në Kamëz, pasi në lagjen nr. 17, Korçë, në lokalin ku ndodhej, gjatë kontrollit të celularit të tij u gjetën faqe për baste sportive. Aparati celular iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Ll. K., 38 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin L. C., 37 vjeç, banues në Leskovik, Kolonjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Berat/Mbante armë zjarri, armë gjahu dhe municion luftarak pa leje në magazinë, vihet në pranga 1 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat goditën një rast të mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak.
Si rezultat i veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi B. T., 66 vjeç, banues në fshatin Galinë, Berat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në magazinën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri (pushkë), 1 armë gjuetie (çifte), si dhe municion luftarak, të cilat ky shtetas i posedonte pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. G., 47 vjeçe, Gj. G., 53 vjeç, E. P., 30 vjeç, A. P., 28 vjeç,K. P., 22 vjeçe, dhe Gj. P., 52 vjeçe, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar verbalisht, me njëri-tjetrin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. N., 25 vjeç, banues në fshatin Orosh, pasi u kap duke transportuar lëndë drusore, të dyshuar të siguruar në kundërshtim me ligjin. Lënda u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Më datë 31.03.2026:
-është dëmtuar aksidentalisht, duke punuar tokën në fshatin Zhejë, me mjet bujqësor (frezë dorë), shtetasi M. P., 60 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën;
-kallëzoi shtetasi G. Gj., se i ishte vjedhur në banesë në Laç, një shumë parash. Punohet për sqarimin e autorësisë dhe rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd:
-arrestuan shtetasin H. D., pasi u kap jashtë banese, duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin B. F., 39 vjeç, pasi u kap duke transportuar lëndë drusore të dyshuar të siguruar në mënyrë të kundërligjshme, në fshatin Lëpushë. Lënda u sekuestrua me cilësinë e provës materiale;
-shpallën në kërkim shtetasin A. H., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka mashtruar një shtetas, duke mos i kthyer paratë e marra borxh. Punohet për kapjen e 31-vjeçarit.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-K. B., 25 vjeç dhe E. B., 35 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. T., 25 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte në rrugën “Qemal Stafa”, ka përplasur këmbësoren, shtetasen M. G., 64 vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Z., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-V. B., 47 vjeç, banues në Berat, pasi ka shkuar në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, në banesën e bashkëshortes së tij, e pajisur me urdhër mbrojtjeje;
-G. Y., 40 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka thyer xhamat e automjetit të një 56-vjeçari, për motive të dobëta.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. M., 23 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht një 34-vjeçar.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Skrapar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. H., 22 vjeç, banues në fshatin Rromas, Skrapar, pasi ka kallëzuar një 58-vjeçar, se 22-vjeçari i ka dërguar bashkëshortes së tij, nëpërmjet aplikacionit WhatsApp, materiale filmike të turpshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Pogradec/Finalizohet operacioni i koduar “Fast”.
Tentuan të merrnin me forcë, në automjet, një 17-vjeçar, ushtruan dhunë fizike ndaj tij dhe e dëmtuan me thikë, për motive të dobëta, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh. dhe A. H., të cilët ishin larguar nga vendngjarja, me automjet. Ata u kapën dhe u ndaluan në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas.
Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë. 17-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R.M., 28 vjeç, banues në Itali, pasi dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri një automjet të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viena, Austri. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit; -Sh.K., 66 vjeç, banues në Dibër, pasi dyshohet se ka kryer veprime të turpshme ndaj një shtetaseje të mitur.
-A.B., banues në Tiranë, pasi në fshatin Zall-Dardhë dyshohet se ka kryer punime ndërtimi pa leje, si dhe ka zaptuar pronën e një shtetasi tjetër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P.M., 68 vjeç, banues në Burrel, pasi me vetëgjyqësi ka bllokuar rrugën e fshatit Shqefen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Klienti”.
Kapet i armatosur me pistoletë në një lokal në Fushë Krujë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.
Procedohet penalisht pronari i lokalit, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër me municion luftarak.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Klienti”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në lokalin e shtetasit A. S., në Fushë Krujë, ku kanë lokalizuar shtetasin A. Xh., të cilit gjatë kontrollit në çantë, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Xh., 36 vjeç dhe nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 41 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.
Gjirokastër/Finalizohet operacioni i koduar “Fugitive”, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar.
I dënuar me 10 vjet burgim, për trafikim të narkotikëve, kapet në Këlcyrë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, 51-vjeçari.
Në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Këlcyrë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas të kërkuar, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fugitive”.
Gjatë këtij operacioni, si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, u bë e mundur kapja në Këlcyrë dhe arrestimi me qëllim ekstradimin, i shtetasit:
-Fatbardh Çela alias Gentian Çela, 51 vjeç, banues në Këlcyrë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Veronës, Itali, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
#angazhimpërkushtimsakrificë ️
#tëvendosurkundërkrimit ✅
Vau i Dejës/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim.
Akuzohet se ka kultivuar bimë narkotike, në fshatin Qerret, kapet dhe vihet në pranga 63-vjeçari.
Bimët narkotike janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin gusht 2025.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim M. B., 63 vjeç, banues në fshatin Qerret, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka kultivuar në fshatin Qerret, 130 bimë narkotike, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin gusht të vitit 2025.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ura”.
Posedonte në banesë, armë zjarri, armë sportive, armë të ftohtë dhe shiste lëndë narkotike, arrestohet 23-vjeçari.
Ai u kap në flagrancë, gjatë natës, te ura e Mesit, me doza Kokaine dhe Cannabisi, gati për shitje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë pneumatike, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis, të ndara në doza.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ura”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:
-A. M., 23 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, te ura e Mesit, me doza Kokaine dhe Kanabisi, gati për shitje.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, një pushkë pneumatike dhe një armë e ftohtë (thikë).
Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme.
DVP Shkodër/Punë operacionale dhe hetime me metoda proaktive, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet pas disa javësh hetime, operacioni i koduar “Kosani”.
Sekuestrohen rreth 10 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 1 automjet me targa të huaja dhe 2 motobarka.
Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Si rezulat i hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër për një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, u finalizua operacioni i koduar “Kosani”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:
-A. Sh., 41 vjeç, banues në fshatin Aliaj.
Gjatë kontrollit në banesën e vjetër të këtij shtetasi, u gjet një qese me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa, me peshë rreth 10 kilogramë, e cila u sekustrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një automjet me targa të huaja dhe 2 motobarka që dyshohet se ky shtetas do t’i përdorte për trafikimin e lëndës narkotike.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme.
Shijak/Finalizohet operacioni i koduar “River”.
Sekuestrohen 2 armë zjarri, 3 armë gjahu, municion luftarak, armë të ftohta, sende të kundërligjshme dhe sasi Kokaine.
Arrestohet në flagrancë 59-vjeçari që i posedonte në banesë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas i ka trafikuar armët me qëllim shitjen në Shijak.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “River”.
Në kuadër të ktij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. V., 59 vjeç, banues në Shijak, si i dyshuar për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit, u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
-2 armë zjarri pistoletë me krehra me fishekë, 3 armë gjahu, municion luftarak i kalibrave të ndryshëm, pjesë armësh, 3 palë dylbi (1 për armët), 1 dron dhe 8 armë të ftohta (thika);
-24 doza të lëndës së dyshuar narkotike Kokainë, 1 peshore elektronike dhe 6 celularë.
Vijon puna për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
