Tiranë/Finalizohet operacioni policor “Catch 6” për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Kapën 6 shtetas në kërkim, të dënuar ose të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në terren dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Catch 6”, kapën dhe vunë në pranga 6 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Kërkimin në DVP Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasin K. M., 32 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit, 9 muaj e 20 ditë burgim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën dhe ndaluan shtetasin M. N., 25 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Kërkimin, kapën dhe ndaluan shtetasin E. K., 24 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 10 muaj e 20 ditë burgim, për veprën penale “Përndjekja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 kapën dhe ndaluan shtetasin L. H., 43 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 kapën dhe ndaluan shtetasin Xh. A., 35 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën shtetasin në kërkim G. K., 22 vjeç, për veprat penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”. Ky shtetas iu dorëzua DVP Dibër, për veprime të mëtejshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetaset: D. D., 50 vjeçe, banuese në Gjirokastër, me detyrë Drejtoreshë e Shtëpisë së të Moshuarëve Gjirokastër dhe Dh. Zh., 52 vjeçe, banuese në Gjirokastër, me detyrë kryekujdestare në këtë institucion.
Veprimet procedurale u kryen pasi nga hetimet e kryera për rastin e ndodhur më 04.03.2026, në Shtëpinë e të Moshuarëve, ku dyshohej se ra aksidentalisht nga tarraca, shtetasja Sh. Z., 72 vjeçe, e cila humbi jetën më datë 04.03.2026, gjatë transportimit në Spitalin e Truamës, rezultoi se kjo shtetase ishte vetëhedhur nga tarraca.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. H., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë infermier në Spitalin Rajonal Gjirokastër, pasi nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese që 72-vjeçarja kishte humbur jetën edhe pse kishte dijeni se për rastin kishin nisur hetimet.
–
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. G., 20 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi më datë 04.03.2026, në lagjen “18 Shtatori”, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar lehtë një 17-vjeçar, i cili mori ndihmë mjekësore dhe u largua në banesë. Shtetasi V. G. është larguar nga vendi i aksidentit, por është kapur më pas nga shërbimet e Policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin I. M., 61 vjeç, banues në fshatin Toç, me probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se ka dëmtuar varret e familjarëve të tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. T., 67 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar, pasi në aksin rrugor “Milot-Thumanë”, gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, në kamionçinën me drejtues shtetasin R. Sh., u konstatuan disa bagëti të cilat ai po i transportonte për llogari të subjektit të shtetasit N. T., pa dokumentacionin përkatës për transport dhe tregtim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin M. M., 49 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka ndërtuar 3 objekte në Shëngjin, pa leje nga organet kompetente.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, shtetasi N. S., 72 vjeç, banues në Laç, ka humbur jetën në banesë, dyshohet për shkaqe natyrale (infarkt).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
—
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 09:50, në rrugën dytësore “Shënkoll-Rrilë”, automjeti me drejtuese shtetasen A. P. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. K..
Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi K. K., i cili është transportuar në Spitalin Rajonal Lezhë, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
DVP Dibër
Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E.N., 39 vjeç, banues në Burrel, pasi dyshohet se prej rreth 1 viti ka përndjekur një shtetase. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen R.K., 37 vjeçe, banuese në Pogradec, pasi në Maqellarë u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa u pajisur me lejen përkatëse.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë
Procedohen penalisht 5 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” për shtetasit:
-D. P., 35 vjeç, banues në Rubik, Mirditë;
-E. Ç., 35 vjeç, banues në Peshkopi;
-E. P., 28 vjeç, banues në Bilisht;
-M. L., 28 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë.
Shtetasit e mësipërm dyshohet se kanë kaluar ilegalisht në Greqi.
-Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” për shtetasin D. B., 53 vjeç, banues në fshatin Kuç, Devoll. Ky shtetas u konstatua në rrugën “Vidohovë-Miras” pranë vendit të quajtur “Gryka e Poçrovës” duke transportuar me një mjet kamioncinë, dru për zjarr, pa dokumentacionin përkatës. Sasia e druve dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin R. T., 32 vjeç, banues në fshatin Radostinë, Fier, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. D., 41 vjeç, banues në Fier, pasi nga kontrolli fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 1 shtetas të mitur 16-vjeçar, pasi drejtonte pa leje drejtimi një automjet pa targa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë ndaluan shtetasin A. H., 35 vjeç, banues në Kuçovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Përndjekja”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dimal arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 56 vjeç, banues në fshatin Rërëz, Dimal, pasi dyshohet se ka dhunuar varrin e ish-bashkëshortes së tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. M., 55 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 38-vjeçare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-N. Z., 46 vjeç, banues në Poliçan, për veprën penale penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-Z. F., 18 vjeç dhe një 16-vjeçar, të dy banues në Poliçan, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Berat, për veprime të mëtejshme.
Durrës/I dënuar me 1 vit e gjysmë burgim, për falsifikim të dokumenteve, kapet duke drejtuar automjetin në efektin e lëndëve narkotike, 39-vjeçari në kërkim.
Shkon në 4 numri i shtetasve që janë kapur duke drejtuar automjetet, në efektin e lëndëve narkotike.
Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet operacionale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas i shpallur në kërkim lëvizte me automjet, në qytet, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në rrugën “Mujo Ulqinaku”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. R., i cili nga testimi me aparatin drogëtestues, rezultoi në efektin e lëndëve narkotike.
Shtetasi A. R. ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Sarandës e ka dënuar me 1 vit e gjysmë burgim, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në vijim të veprimeve, shtetasi A. R., 39 vjeç, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 09:30, në shkollën e fshatin Shënavlash, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin disa nxënës të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç. Me ndërhyrjen e mënjehershme të oficerit të sigurisë dhe stafit pedagogjik, është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit. Nga konflikti është dëmtuar lehtë një 15-vjeçar.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në ambientet e shkollës dhe i kanë shoqëruar të miturit në ambientet e Komiariatit të Policisë, për veprime të mëtejshme.
Të gjitha veprimet po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, në prani të psikologut, përfaqësuesit ligjor, oficerit të sigurisë, përfaqësuesit të stafit pedagogjik dhe prindërve të nxënësve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës kapën shtetasit S. Gj. dhe E. Gj., të cilët ishin shpallur në kërkim për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, për ngjarjen e ndodhur më datë 14.02.2026, në Sauk, ku u vetëplagos një 18-vjeçare. Pas konsultimit me Prokurorin, u vendos që këta shtetas të hetohen në gjendje të lirë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit e huaj G. G dhe M. G, pasi dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në subjektin me administrator shtetasin G. B.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. R. K. K, dhe Y. Q., pasi për motive të dobëta kanë goditur me grushte shtetasin A. M.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit P. M, R. T, S. Q, I. Sh dhe E. B, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Gjithashtu, gjatë konfliktit shtetasi E. B ka dëmtuar automjetin e shtetasit P. M.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen L. M, pasi në subjektin në administrim të saj(lokal), u konstatua duke gjeneruar muzikë të lartë.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin E. Gj., 31 vjeç, pasi automjeti që drejtonte nën efektin e alkoolit është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi M. M. Si pasojë është dëmtuar 31-vjeçari dhe pasagjeri i tij të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Më datë 05.03.2026:
-në Linzë, dyshohet se si pasojë e një shkendije elektrike ka marrë flakë automjeti në pronësi të shtetasit D. S;
-në Fushë-Krujë, dyshohet se si pasojë e një shkendije elektrike në pjesën e baterisë ka marrë flakë automjeti në përdorim nga shtetasi R. Z. Materialet për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë si ngjarje aksidentale;
-në rrugën “Muhamed Deliu” punonjësit e Policisë Bashkiake kanë konstatuar në disa shkurre një sasi municioni të cilët u sekustruan në cilësinë e provës materiale. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen L. B., 69 vjeçe, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, duke rilidhur furnizimin me ujë të pijshëm në banesën e saj, të cilin bashkia ia kishte ndërprerë për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. D., 57 vjeç, pasi ka qëlluar me shuplakë një shtetas të mitur, për motive të dobëta.
Më datë 05.03.2026, ka kallëzuar shtetasi A. Ç., 36 vjeç, se gjatë natës i kanë vjedhur automjetin e tij, në lagjen “Sporti”. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Vjedhja”.
Më datë 05.03.2026, një shtetase ka kallëzuar se shtetasi A. M. i kishte vjedhur një valixhe dhe një çantë, brenda të cilave ndodheshin sende personale, rroba, një shumë monetare dhe një kompjuter laptop.Falë veprimeve të shpejta, të koordinuara dhe të profesionalizuara të policisë, u bë e mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i autorit. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën sendet e vjedhura të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë për veprën penale “Vjedhja”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori ndaj shtetases Sh.Ll., 72 vjeçe, banuese në Vlorë, pasi në banesën e saj janë konstatuar punime ndërtimi të kryera pa lejen e organeve kompetente.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori ndaj shtetasit A.R., 54 vjeç, banues në Sarandë, pasi në një rrugë pranë plazhit “Shqiponja”, dyshohet se ka kryer gërmime pa leje dhe ka rrethuar një sipërfaqe toke.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorive përkatëse në Vlorë dhe Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim P. M., 62 vjeç, banues në fshatin Liqenas, Pustec, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje, si dhe ndaj djalit të saj.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për një 17-vjeçare, banuese në Korçë, për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet telefonit, një 14-vjeçare, që të tërhiqte kallëzimin që kishte bërë për një shoqe të 17-vjeçares, me të cilën ishte konfliktuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për shtetasin D. B., 46 vjeç, banues në Pogradec, drejtues teknik në një subjekt për instalimin e paneleve fotovoltaike, pasi dyshohet se për shkak të mungesës së masave të sigurisë, është dëmtuar në dorë, gjatë punës, punonjësi i subjektit, shtetasi F. M., 36 vjeç, banues në Pogradec.
Korçë/Në vijim të informacionit të dhënë më datë 24.02.2026, për largimin nga banesa të shtetasit R. J., 41 vjeç, banues në Korçë, bëjmë me dije se ky shtetas u gjet dhe u rikthye në banesë.
Pogradec/Mëngjesin e sotëm, në spitalin e Prrenjasit, është dërguar pa shenja jete, shtetasi G. Gj., 47 vjeç, banues në fshatin Rodokal i Sipërm, Pogradec. Nga hetimet paraprake dhe deklarimet e familjarëve dyshohet se ky shtetas, në gjendje të rënduar psikologjike, ka konsumuar lëndë helmuese në banesë dhe për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës dhe të rrethanave të rastit.
DVP Kukës
Specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 33 vjeç, banues në fshatin Shtiqen, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 16 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. G., 32 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kallëzuar bashkëjetuesja e tij 30 vjeçe, se ai ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
