Bllokohet lëvizja në aksin “Librazhd-Pogradec”, Policia në shërbim për garantimin e sigurisë rrugore

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Nisur nga njoftimi i dhënë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për bllokimin e lëvizjes në aksin Librazhd–Pogradec, në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, për shkak të rrezikut për qarkullimin e lirë të mjeteve, në vendin ku ka patur edhe më parë rrëshqitje të dheut, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash për garantimin e sigurisë rrugore.

Në zbatim të këtij vendimi:
– Është ndaluar qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe i autobusëve në këtë segment rrugor, deri në një njoftim të dytë;
– Janë ngritur pika kontrolli dhe shërbime të shtuara të Policisë Rrugore për devijimin dhe ndalimin e këtyre mjeteve;
– Po bashkëpunohet me strukturat përgjegjëse për monitorimin e vazhdueshëm të situatës në terren.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë të jenë të pranishme 24/7 në zonë, me qëllim parandalimin e rrezikut për përdoruesit e rrugës dhe garantimin e rendit e sigurisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për mirëkuptim dhe për respektim rigoroz të sinjalistikës dhe udhëzimeve të dhëna nga shërbimet e Policisë.

Në rast nevoje, qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 ose të komunikojnë me shërbimet e Policisë në terren.