Përfaqësimi dinjitoz i Shqipërisë nga Forcat Speciale RENEA në “SWAT Challenge Dubai 2026” nxiti interesin e homologëve për bashkëpunim

Përfaqësimi dinjitoz i Shqipërisë nga Forcat Speciale RENEA në “SWAT Challenge Dubai 2026” nxiti interesin e homologëve për bashkëpunim.
Në kuadër të pjesëmarrjes në UAE SWAT Challenge, Njësia Speciale RENEA përfaqësoi në mënyrë dinjitoze Policinë e Shtetit dhe Republikën e Shqipërisë, përkrah njësive elitare të forcave speciale nga e gjithë bota.
Gjatë aktivitetit, Zëvendëspresidenti dhe Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, si dhe Komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Dubait, Abdullah Khalifa Al Marri, në një takim informal, falënderuan dy ekipet e RENEA-s për profesionalizmin dhe performancën e treguar në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Në përfundim të garave, me porosi të udhëheqësit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Dubait, gjatë një takimi miqësor me efektivët e Njësisë Speciale RENEA, shprehu interesin për vendosjen e kontakteve zyrtare dhe nisjen e një procesi bashkëpunimi në fushën e njësive speciale, në drejtim të trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojës.
Përfaqësuesit e RENEA-s falënderuan autoritetet e larta të Emirateve të Bashkuara Arabe për vlerësimin dhe interesin e shprehur për bashkëpunim, duke i garantuar se kjo kërkesë do t’i përcillet për shqyrtim dhe miratim Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda.
Ky bashkëpunim do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy policive, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira operacionale ndërmjet strukturave homologe.