Elbasan/Policia e Elbasanit dhe aktorët e tjerë të ngarkuar me përgjegjësi, plotësisht të koordinuar për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve
Si rezultat i angazhimit maksimal të punonjësve të Policisë së Elbasanit, veprimtaria e kultivimit të bimëve narkotike, nga viti në vit, ka shënuar rënie të ndjeshme në territorin e qarkut.
Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun Elbasan. Takimi u organizua nga Drejtori i DVP Elbasan Drejtues Fatmir Hoxha, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, Kryetarit të Gjykatës z. Elis Dine, Kryeprokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan z. Kreshnik Ajazi, Drejtorit të AMP-së z. Dritan Pjetri, përfaqësuesve të Prefekturës dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe drejtuesve e punonjësve të strukturave të DVP Elbasan.
Në fokus të këtij takimi ishin:
-analiza e punës së bërë gjatë vitit 2025;
-ecuria e zbatimit të masave të ndërmarra deri tani;
-përcaktimi i saktë i zonave më me risk përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, zona në të cilat janë konstatuar raste të kësaj veprimtarie, vitet e shkuara;
-rritja e efektivitetit të kontrolleve me këmbë dhe me dronë.
Gjithashtu, gjatë takimit u përcaktuan strategjitë që do të ndiqen dhe masat që do të ndërmerren gjatë vitit 2026, të cilat konsistojnë në intensifikimin e kontrolleve, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimin e metodave të avancuara për monitorimin e territorit, me objektiv goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike, që në fazë të hershme.
Strukturat e DVP Elbasan mbeten maksimalisht të angazhuara për të parandaluar dhe goditur çdo rast të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për të vijuar operacionet, punën operative, bashkëpunimin me qytetarët dhe kontrollet e pandërprera në të gjithë territorin e qarkut.




