Kukës/DVP Kukës dhe aktorët e tjerë të ngarkuar me përgjegjësi, plotësisht të koordinuar për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve

Kukës/DVP Kukës dhe aktorët e tjerë të ngarkuar me përgjegjësi, plotësisht të koordinuar për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i angazhimit maksimal të punonjësve të Policisë së Kukësit, veprimtaria e kultivimit të bimëve narkotike, ka shënuar rënie.

Në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun Kukës, i drejtuar nga Drejtori i DVP Kukës, Drejtues Loard Sallaku, me pjesëmarrjen e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, përfaqësuesit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtues Dashamir Spaho, Prefektit të Qarkut Kukës z. Dritan Baji, Zëvëndësdrejtueses së Prokurorisë znj. Griselda Haxhiaj, Drejtorit të Agjencisë Rajonale të Mbikëqyrjes Policore Kukës z. Plaurent Mburimi, Drejtorit të DVKM Kukës Kryekomisar Robert Losha, si dhe punonjësve të strukturave të DVP Kukës dhe të DVKM Kukës.

Në fokus të këtij takimi ishin:
-analiza e punës për kultivimin e bërë gjatë vitit 2025;
-ecuria e zbatimit të masave të ndërmarra deri tani;
-përcaktimi i saktë i zonave më me risk përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, zona në të cilat janë konstatuar raste të kësaj veprimtarie, vitet e shkuara;
-sfidat e shtuara që paraqesin terrenet e thella malore, pjesë e bashkisë Tropojë;
-rritja e efektivitetit të kontrolleve me këmbë dhe me dronë.

Gjithashtu, gjatë takimit u përcaktuan strategjitë që do të ndiqen dhe masat që do të ndërmerren gjatë vitit 2026, të cilat konsistojnë në intensifikimin e kontrolleve, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimin e metodave të avancuara për monitorimin e territorit, me objektiv goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike, që në fazë të hershme.

Strukturat e DVP Kukës mbeten maksimalisht të angazhuara për të parandaluar dhe goditur çdo rast të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për të vijuar operacionet, punën operative, bashkëpunimin me qytetarët dhe kontrollet në të gjithë territorin e qarkut.