Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. S., 21 vjeç, banues në Lezhë, pasi nga kontrolli fizik, iu gjet një sasi e vogël Cannabisi, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Policisë Rrugore:
-arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. K., 65 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjet, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. C., 45 vjeç, banues në Mal të Zi, pasi automjeti që drejtonte, u përplas me automjetin që drejtonte shtetasi A. T., 33 vjeç, te kryqëzimi i fshatit Rrilë. Si pasojë, u dëmtua pasagjerja në automjetin që drejtonte 33-vjeçari, e cila është në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë shpallën në kërkim shtetasin E. N. alias E. L., 30 vjeç, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se rreth orës 00:30 të ditës së sotme, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka thyer xhamin e vendqendrimit të punonjësit në një karburant, shtetasit M. N., dhe ka vjedhur një shumë parash (xhiron e subjektit). Punohet intensivisht për kapjen e 30-vjeçarit, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tij, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.01.2026, për një konflikt fizik në lagjen nr.3, Pogradec, bëjmë me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kapën shtetasin e shpallur në kërkim për këtë ngjarje, K. N., 37 vjeç, banues në Pogradec, i cili, pas konsultimit me Prokurorin, u vendos që do të hetohet në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin V. Th., 40 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke vjedhur vegla pune, në banesën e shtetasit Gj. O., në lagjen nr. 2, Korçë. Sendet e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. B., 25 vjeç, banues në Maliq, si edhe shpallën në kërkim shtetasin R. B., 24 vjeç, banues në Maliq, pasi gjatë kontrollit në lokalin që kishin në përdorim, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një fenelinë si ato të Policisë. Nga verifikimet rezultoi se subjekti nuk ishte i regjistruar në organet tatimore.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-R. M., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin H. E., 69 vjeç, banues në Tiranë, këmbësor, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën;
-një 17-vjeçar, banues në Korçë, pasi në bulevardin “Fan Noli”, Korçë, ndërkohë që drejtonte automjetin, pa leje drejtimi, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. S., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një shtetase.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim shtetasit:
-A. P., pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shtetasi, një shumë parash;
-A. B., pasi dyshohet se ka vjedhur portofolin e një shtetaseje.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasin L. M., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur naftë, nga disa automjete. Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto raste;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. M., pasi dyshohet se ka përplasur me automjet, 2 automjete të parkuara, dhe është larguar nga vendngjarja;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, ka shkuar për të marrë mjekim, në spital, një shtetas i mitur që dyshohet se është dëmtuar lehtë, me send plastik, nga një tjetër i mitur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin E. H., 26 vjeç, pasi në rrugën “Vangjel Capo”, dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë, një 39-vjeçar;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. R. dhe E. R., vëllezër, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, shtetasin N. I.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. K., pasi dyshohet se ka kanosur dhe ka goditur me grushte, shtetasin A. T.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për dy të mitur, pasi dyshohet se kanë goditur me shuplakë, një të mitur tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. A., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj një shtetasi;
-shpallën në kërkim shtetasin B. S., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një shtetaseje. Punohet për kapjen e shtetasit B. S.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-arrestuan shtetasin N. P., 26 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur në një market;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen S. Xh., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një shtetase.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë shpallën në kërkim shtetasit B. H. dhe M. B., pasi kallëzoi administratori i një subjekti për qiradhënie automjetesh, se shtetasi B. H. nuk ka kryer pagesën për një automjet të marrë me qira, ndërsa shtetasja M. B. nuk i ka shpërblyer dëmin që i ka shkaktuar një automjeti të marrë me qira. Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Më datë 21.01.2026:
-dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i një pallati në rrugën “Ilia Dilo Sheperi”, shtetasja E. Sh., 30 vjeçe, e cila si pasojë ka humbur jetën. Familjarët e saj kanë deklaruar se vuante nga depresioni;
-ka shkuar për të marrë mjekim, në spital, shtetasja L. S., 65 vjeçe, e cila dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht, si pasojë e rrëzimit të portës së banesës së saj. Shtetasja është aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Grupe hetimore po punojnë për të dokumentuar rrethanat e të dyja ngjarjeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët e qarkullimit rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Ç., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi automjeti që drejtonte në rrugën “Ankona”, u përplas me automjetin që drejtonte shtetasi A. I.. Nga aksidenti u dëmtuan drejtuesit e automjeteve që janë në kujdesin e mjekëve, si dhe 3 pasagjerë që pasi morën asistencën mjekësore të nevojshme, u larguan në banesa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori:
-ku nisi procedimi penal për shtetasin A. K., banues në Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”;
-për vlerësim të deklarimit të shtetasit A. F., se djali i tij 10 vjeç kishte lëvizur me automjet më drejtues fqinjin e tij, 16 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 28 vjeç, banues në Shijak, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, 1 armë gjahu, të cilën e posedonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në Rrenas, Belsh, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasja Rr. T., informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me pasojë vdekjen, drejtuesin e automjetit, shtetasin K. I., 20 vjeç, banues në Belsh. Nga ky aksident është dëmtuar edhe pasagjerja në automjetin e shtetasit K. I., nëna e tij, e cila është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin G. Xh., 50 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin (kamion), në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. Sh., 69 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë bashkëshorten e vëllait të tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Xh. M., 30 vjeç, E. Q., 42 vjeç dhe J. C., 37 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. K., 37 vjeç, pasi është konfliktuar fizikisht me shtetasin D. L., 46 vjeç, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-K. G., 40 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur disa pajisje në banesën e shtetasit E. Z., 41 vjeç, në lagjen “Manush Alimani”;
-T. D., 71 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, pasi dje, në Velipojë, shtetasi D. Gj., 66 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me një pemë. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë bashkëshortja e tij, pasagjere në automjet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
–
Informacion paraprak/Rreth orës 10:15, në lagjen “Partizani”, ka rënë zjarr në një godinë të vjetër, ku banonte shtetasi S. B., rreth 80 vjeç. Si pasojë ka pësuar djegie ky shtetas, i cili është dërguar në spital, për mjekim.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë shpallën në kërkim shtetasin A. L., 25 vjeç, banues në Krujë, pasi dyshohet se është autor i një vjedhjeje të ndodhur në vitin 2022, në një supermarket në qytetin e Lushnjës.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-V. V., 65 vjeç, banues në fshatin Bishqethëm, pasi ka zaptuar një sipërfaqe toke që nuk është në pronësi të tij;
-një 17-vjeçar, pasi shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan 2 armë sportive dhe një shufër metalike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Komisariati i Policisë Mat
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A.D., 33 vjeç; A.K., 45 vjeç, të dy banues në fshatin Komsi, pasi për shkak të një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur njëri-tjetrin me sende të forta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Network”.
Zbulohen 3 apartamente me qira, në të cilat ushtrohej prostitucion, në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Hoxha Tahsim” dhe “Myslym Shyri”.
Vihen në pranga 3 shtetaset kolumbiane dhe procedohen penalisht 2 shtetaset shqiptare, që ushtronin prostitucionin.
Vihet në pranga 1 shtetas spanjoll që shfrytëzonte 3 shtetaset kolumbiane, për këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, dhe disa celularë.
Si rezultat i punës intensive të kryer nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të prostitucionit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Network”, që goditi 3 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve për këto raste u arrestuan:
-shtetaset kolumbiane M. L., 21 vjeçe, V. Y., 25 vjeçe dhe L. D., 35 vjeçe, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament që e kishin marrë me qira, në rrugën “Ibrahim Rugova”;
-shtetasi spanjoll J. D., 26 vjeç, pasi dyshohet se shfrytëzonte këto shtetase, për këtë veprimtari kriminale.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetaset shtetaset V. O., 34 vjeçe dhe S. Sh., 24 vjeçe, pasi ushtronin prostitucion, në dy apartamente që i kishin marrë me qira, njëri në rrugën “Hoxha Tahsim”, tjetri në rrugën “Myslym Shyri”.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këto raste.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Masive”.
Në 24 orë, goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike (Ekstazi, Kokainë dhe Cannabis Sativa), si dhe zbulohen 2 subjekte ku shiteshin lëndë narkotike dhe luheshin lojëra fati.
Identifikohen 7 shtetas të përfshirë në këto veprimtari kriminale. Vihen në pranga 4 prej tyre.
Sekuestrohen sasi dhe doza lëndësh narkotike, si dhe tavolina për lojën “Poker”, celularë dhe automjet.
Si rezultat i zbatimit të një sërë masash, në të gjithë territorin e kryeqytetit, që nëpërmjet punës operative dhe kontrolleve, synuan goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, struktura në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Masive”. Në kuadër të këtij operacioni:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, arrestuan shtetasit E. A., 37 vjeç, R. Gj., 29 vjeç dhe A. Th., 34 vjeç, sepse shtetasit E. A. iu gjetën në automjet dhe në banesë, sasi të lëndëve narkotike Ekstazi, Kokainë dhe Cannabis Sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen, ndërsa 2 të arrestuarit e tjerë, dyshohet se pavarësisht pasjes dijeni, nuk e kanë kallëzuar përfshirjen e 37-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin O. Xh., 21 vjeç, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. L. dhe E. B., si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. P., 33 vjeç, sepse në njërin subjekt (lokal) në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim, u gjetën tavolina për lojën “Poker”, ndërsa në subjektin tjetër (bilardo) në pronësi të tij, u kap 21-vjeçari me doza Cannabisi (të gatshme për shitje) me vete. 2 të proceduarit dyshohet se kanë patur dijeni për përshtatjen e ambientit të parë, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe nuk kanë kallëzuar në polici. Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit A. P.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Dënimi”.
I dënuar me 7 vjet e gjysmë burgim, për shfrytëzim të prostitucionit, kapet në zonën e Liqenit të Thatë, dhe vihet në pranga 38-vjeçari.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, se një shtetas i shpallur në kërkim, fshihej në zonën e Liqenit të Thatë, finalizuan operacionin e koduar “Dënimi”.
Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Rezart Hyskollari, 38 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Durrësit, në vitin 2019, e ka dënuar këtë shtetas, me 7 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Nga dënimi, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 5 vjet burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia Rrugore e Durrësit godet një tjetër rast të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe për të shmangur testin e alkoolit, u ofroi para punonjësve të Policisë, vihet në pranga 43-vjeçari.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës, gjatë monitorimeve të qarkullimit për identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, në rrugën “Vllazërimi”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin Xh. S.
Drejtuesi i automjetit, në momentin e ndalimit, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u ofruar para, me qëllim shmangien e testit të alkoolit.
Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 0.92 mg/l.
Në përfundim të veprimeve të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. S., 43 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
