Barometri i Sigurisë së Jetës dhe i Punës së Policisë së Shtetit për vitin 2025.
Prezantimi u bë nga Drejtori i Qendrës “Agenda”, z. Eduard Zaloshnja, ku morën pjesë Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, Rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Ilirjan Mandro, stafi i Akademisë dhe pedagogë.
Materiali kishte në fokus evidentimin e rezultateve të punës së Policisë së Shtetit gjatë vitit 2025, për uljen e kriminalitetit, përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe rritjen e besimit të qytetarëve, në krahasim me vitin 2010.
Disa nga konkluzionet e evidentuara nga qytetarët, pjesë e studimit të Qendrës “Agenda”, si rezultat i krahasimit të parametrave të sigurisë në vitin 2025 me ata të vitit 2010, ishin: më pak krime, më shumë siguri rrugore, më shumë besim të qytetarëve te Policia, reagim më i shpejtë i Policisë dhe më shumë goditje ndaj armëmbajtjes pa leje.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga, falënderoi Qendrën “Agenda” për punën verifikuese të kryer dhe garantoi se të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë maksimalisht të angazhuara për të përmirësuar aspektet e konsideruara problematike gjatë prezantimit, si siguria rrugore dhe dhuna në familje, si dhe për të vijuar betejat e përditshme kundër krimit, me qëllim përmbushjen e misionit madhor: sigurinë e qytetarëve.
Drejtorët Nallbati dhe Ziu u shprehën se do të ishte me vlerë që studimi të shtrihej edhe në tregues të tjerë të sigurisë publike, për të ofruar një pasqyrë sa më të plotë të situatës, si dhe për të konstatuar saktë aspektet më problematike, ndaj të cilave strukturat e Policisë do të përqendrojnë kapacitetet e tyre parandaluese, goditëse dhe hetimore.
Në përfundim, Rektori i Akademisë, Prof. Ilirjan Mandro, theksoi se rezultatet e sondazhit përputhen me rritjen e interesit të të rinjve për të ndjekur Kolegjin Profesional të Formimit Policor, si dhe me rritjen e interesit të maturantëve, duke qenë se gjatë vitit 2025 numri i aplikimeve u rrit deri në 10 herë, në raport me kuotat e lira.





















