Raporti i ngjarjeve, 15.01.2026

Policia e Shtetit

Me qëllim zhvillimin e një procesi vlerësimi objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës, nxitjen e konkurrencës profesionale dhe drejtuese në përzgjedhjen e kandidatëve që shfaqin aftësi, rezultate të larta, integritet moral dhe profesional, si dhe promovimin në detyrë të punonjësve të Policisë, në zbatim të urdhrave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, shpallen thirrjet për konkurrim për pozicionin “Drejtor Vendor i Policisë në Policinë e Shtetit” dhe për pozicionin “Shef Komisariati”, për plotësimin e funksioneve organike, si më poshtë vijon:

Drejtor, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, për shkak të transferimit dhe emërimit Drejtor në një tjetër DVP të punonjësit të Policisë, të përzgjedhur për këtë funksion me proces konkurrimi;

Drejtor, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, për shkak të shkarkimit nga detyra të punonjësit të Policisë, të përzgjedhur për këtë funksion me proces konkurrimi.

Faza e aplikimeve: deri më datë 22.01.2026.

Shef, në Komisariatin e Policisë Fier, në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;

Shef, në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;

Shef, në Komisariatin e Policisë Kavajë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;

Shef, në Komisariatin e Policisë Kolonjë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në Policinë e Shtetit dhe transferimit në struktura të tjera shtetërore;

Shef, në Komisariatin e Policisë Mat, në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;

Shef, në Komisariatin e Policisë Bulqizë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, për shkak se shefi i komisariatit i përzgjedhur me konkurrim, me kërkesë të tij është transferuar në një detyrë tjetër;

Faza e aplikimeve: deri më datë 23.01.2026.

Procesi i konkurrimit do të zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, mbi parimet e transparencës, barazisë së mundësive dhe meritokracisë, duke garantuar një vlerësim objektiv dhe të paanshëm të të gjithë kandidatëve pjesëmarrës.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin E. H., 36 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe ka dëmtuar automjetin e tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-J. D., 65 vjeç dhe Th. Gj., 69 vjeç, të dy banues në Divjakë, pasi u kapën duke drejtuar pa leje drejtimi, motomjete pa targa;
-një 16-vjeçar, pasi po drejtonte një motomjet elektrik, pa leje drejtimi. Motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Bazamenti”, për goditjen e një rasti të krimeve kundër mjedisit.

Kishte ndërtuar pa leje, një objekt dhe kishte nisur të ndërtonte, gjithashtu pa leje, një tjetër, arrestohet 43-vjeçari.

Ai gjithashtu kishte ndotur lumin e Tiranës, pasi shkarkonte aty, mbetjet (inerte) nga punimet e ndërtimit.

Gjatë kontrolleve të kryera në të gjithë territorin e qarkut Tiranë, kryesisht në afërsi të sipërfaqeve ujore, të cilat mund të shfrytëzohen ilegalisht, për marrje inertesh, me qëllim ndërtimi, ose mund të ndoten nga hedhja e mbetjeve të ndryshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 konstatuan në rrugën “Myslym Keta”, një rast në këtë fushë.

Për rastin, në kuadër të operacionit “Bazamenti”, si dhe si rezultat i hetimeve, u vu në pranga shtetasi L. K., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas dyshohet se ka ndërtuar 1 objekt pa leje (kapanon). Nga verifikimet rezultoi se ai kishte filluar punimet për ndërtimin e një objekti tjetër, gjithashtu pa leje. Më tej rezultoi se mbetjet nga punimet e ndërtimit, 43-vjeçari i hidhte në lumin e Tiranës, dhe si pasojë, shkaktonte ndotje.

Kontrollet, me objektiv konstatimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, për goditjen e rasteve të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Vihet në pranga administratori i një lokali ku organizoheshin lojëra fati.

Sekuestrohet 1 celular.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i kësaj veprimtarie.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 37 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, në rrugën “Kole Koçi”, organizoheshin lojëra fati. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një celular që u gjet në lokal, i cili përdorej për këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Sh., pasi për motive të dobëta ka kanosur një shtetase;
•vijon puna për kapjen e shtetasit M. A., i dyshuar se, nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash shtetasit Z. S. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
•A. M., pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi municioni;
•A. M. dhe K. Gj., pasi për motive të dobëta janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
•ndaluan me iniciativë shtetasin Y. H., 22 vjeç, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitura”. Vijon puna për sqarimin e rrethanave të rastit;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. V. dhe D. V., pasi dyshohet se për motive pronësie kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj shtetases M. V.;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për dy të mitur, pasi për motive të dobëta janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen O. B., pasi dyshohet se ka hapur profile false dhe ka shpërndarë foto të një shtetaseje.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:
•J. A., 29 vjeç, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen S. B. Si pasojë, kjo e fundit u dëmtua lehtë dhe, pas marrjes së ndihmës mjekësore, u largua në banesë;
•Xh. H., 41 vjeçe, M. V., 48 vjeç dhe D. D., 36 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur;
•E. A., 36 vjeç, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin O. M., me dëme materiale.
Më datë 14.01.2026, ka kallëzuar një shtetase 57-vjeçare se, nëpërmjet profileve false, i janë shpërndarë foto me mbishkrime fyese dhe denigruese. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit F. Sh., 33 vjeç, banues në Gjirokastër dhe P. Z., 32 vjeç, banues në Elbasan, pasi në fshatin Ponçarë, Devoll, janë kapur nga shërbimet e Policisë së Rendit, duke tentuar të kalonin kufirin me Greqinë, në mënyrë të paligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Y. M., 42 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, pasi ushtronte aktivitet tregtar (servis për automjete), pa qenë i pajisur me dokumentacionin përkatës.

Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin M. K., 44 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi u kap duke drejtuar pa leje, një motomjet pa targa.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për një 15-vjeçar, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë, një bashkëmoshatar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. B., 20 vjeç, banues në Vlorë, pasi në rrugën “Haredin Haxhiraj”, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, është përfshirë në një përplasje me dëme materiale.
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori për vlerësim, pasi në rrugën “Fiqirete Musta”, shtetasja B. B., 33 vjeçe, banuese në Vlorë, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar një shtetas të mitur, i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore është larguar në banesë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori dhe po punohet për identifikimin e autorit, pasi më datë 13.01.2026, në kishën që ndodhet në lagjen Spille, në Himarë, dyshohet se është vjedhur një shumë monetare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit L. B., 50 vjeç, I. G., 85 vjeç dhe Z. G., 75 vjeç, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasit Sh. L., 60 vjeç dhe Sh. Gj., 47 vjeç. Shtetasit Sh. L. dhe Sh. Gj. janë konstatuar duke kryer punime pa leje në një objekt në pronësi dhe administrim të tre shtetasve të shpallur në kërkim.
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit:
•F. A., 20 vjeç, banues në Konispol, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis;
•R. K., 24 vjeç, banues në fshatin Çukë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim nëna e tij se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit I. M., 38 vjeç, banues në fshatin Fierzë dhe M. C., 54 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se kanë trafikuar në Shqipëri, një motomjet, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Belgjikë. Motomjeti u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. P., 31 vjeç, banues në Lezhë, pasi në automjetin që drejtonte, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori:
-ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. B., për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-për vlerësim, në lidhje me zjarret e rëna, dyshohet si pasojë e shkëndijave elektrike, në një kontenjer në fshatin Manati, në pronësi të shtetasit F. V., dhe në një kasollë në fshatin Kallmet, në pronësi të shtetasit P. P.. Si pasojë, në të dyja rastet pati vetëm dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet për vlerësim, në Prokurori, në lidhje me një kompani telefonike, e cila nga verifikimet rezultoi se po kryente punime për instalimin e një linje në Laç, në tejkalim të afatit të lejes që kishte marrë për këtë veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin S. G., 49 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. Q., 63 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Specialistët e Policisë Kufitare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. Xh., pasi në SPKM Hani i Hotit, gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi nafte dhe disa mallra, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Informacion paraprak/ Rreth orës 09:30, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, automjeti me drejtues shtetasin S. L., 63 vjeç, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasja E. Sh., 19 vjeçe.

Si pasojë e aksidentit është dëmtuar lehtë shtetasja E. Sh., e cila po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Me shtetasin S. L. po kryhen veprimet procedurale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Kakavijë

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 12:30 (me orën greke) deri në një njoftim të dytë, aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Korçë/Informacion paraprak

Më datë 15.01.2026, rreth orës 09.20, në lagjen nr. 13, Korçë, ka rënë zjarr në banesën e shtetases F. P., rreth 73 vjeçe, e cila si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë.

Shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit dhe për të bërë dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Beratit, për vënien në pranga të shtetasit të deportuar nga Mbretëria e Bashkuar, A. F., 36 vjeç, i cili është dënuar në vitin 2024, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Nga dënimi, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 7 muaj burgim.

Specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-R. C., 47 vjeç, banues në Berat, pasi me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ka goditur 2 automjete të parkuara. Si pasojë pati vetëm dëme materiale;
-F. M., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet. Si pasojë pati vetëm dëme materiale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasit A. Gj., 33 vjeç dhe A. D., 46 vjeç, të dy banues në Berat, pasi dyshohet se i kanë vjedhur një shtetasi, portofolin dhe 2 celularët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Vodhi 1 automjet, duke mashtruar rojën e vendparkimit në rrugën “Hajdar Hidri”, se ishte pronari i automjetit, identifikohet dhe arrestohet 18-vjeçari.

Gjendet në Valias, dhe sekuestrohet automjeti i vjedhur, tip “Volkswagen Jetta”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas njoftimit se në një vendparkim për automjete, në rrugën “Hajdar Hidri”, ishte vjedhur nëpërmjet mashtrimit, 1 automjet tip “Volkswagen Jetta”, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi A. L., 18 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u gjet në fshatin Valias, automjeti i vjedhur.

18-vjeçari dyshohet se me qëllim vjedhjen, ka shkuar te vendparkimi i automjeteve, ku ka mashtruar rojën e subjektit, se do të merrte automjetin e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Catch 3”.

Të dënuar nga Gjykata, për vepra të ndryshme penale, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Si rezultat i kontrolleve intensive nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, u kapën dhe u vunë në pranga 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Konkretisht:

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, vunë në pranga shtetasin K. B., 37 vjeç, të cilin Gjykata e ka dënuar me 2 vite burgim, për veprën penale “Vjedhja”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 3 muaj burgim.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndaluan shtetasin S. B., 53 vjeç, të cilin Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin L. H., 47 vjeç, të cilin Gjykata e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujrave dhe e tokës”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E.K., 32 vjeç, banues në njësinë Administrative Kastriot, pasi për motive të dobëta ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas 15-vjeç, banues në Klos, pasi për motive të dobëta, dyshohet se ka kanosur me mjet prerës një 40-vjeçar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin H. K., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjet, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen D. P., 43 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dje, u paraqit në ambientet e Policisë, shtetasja R. M., e cila kallëzoi se më datë 09.12.2025, në aksin rrugor “Hidrovor–Hamallaj”, ishte përplasur nga automjeti që drejtonte 43-vjeçarja;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 të mitur, pasi u kapën duke drejtuar motomjete.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, në lidhje me shtetasin T. A., 66 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, i cili humbi jetën në spital, në Tiranë, dyshohet si pasojë e konsumimit të Fotoksinës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Punë operacionale dhe hetime me metoda proaktive, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Cargo”.

Sekuestrohen 60 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Vihet në pranga 52-vjeçari që u kap në flagrancë në fshatin Luz, duke transportuar me automjet, lëndën narkotike, me qëllim shitjen.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Cargo”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:

-A. M., 52 vjeç, banues në Krujë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Luz, Fushë Krujë, automjetin me drejtues shtetasin A. M., në të cilin kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë.

Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike (me vlerë rreth 60 000 euro) do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.