Elisa Sinani, maturante në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër, gjatë aktivitetit “Sheh Diçka, thuaj Diçka”, ka ftuar të gjithë bashkëmoshatarët e saj jo vetëm në Shkodër por në mbarë vendin, që të mbështesin Policinë e Shtetit me qëllim që në shkollat tona të mos zotërojë e keqja, por paqja, libri dhe shpresa
Përshëndetje të gjithëve!
Jam e emocionuar, por ndjej dhe një përgjegjësi të dyfishtë sot, pasi tematika që jemi mbledhur dhe që duam të jetësojmë është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ne, por për të gjithë komunitetin.
Çdo i ri dhe e re do që të jetojë në një komunitet ku dita dhe nata kalojnë pa probleme. Ku siguria nuk vihet në pikëpyetje dhe ngjarjet e shëmtuara jane inekzistente. Po fatkeqësisht ka raste te cilat e prishin harmoninë e një komuniteti.
Kjo masë të rinjsh që janë mbledhur sot këtu së bashku, duan paqen, duan qetësinë, duan sigurinë në shkollë, në rrugë, në lokale e në shtëpi. Por sigurisht, që të kërkosh duhet edhe të kontribuosh për t’i arritur këto. Roli jonë në këtë nismë është thelbësor, pasi zëri jonë, forca jonë është më e madhe se fuqia e së keqes.
Sot jemi këtu me një qëllim të vetëm, të kontribuojmë sado pak për sigurinë tonë. Dhe kjo arrihet duke mos qëndruar indiferentë, por nën nismën “Sheh diçka. Thuaj diçka”, të mbështesim Policinë e qytetit dhe qarkut tonë.
Të krijojmë ura bashkëpunimi mes Policisë, shkollës dhe qytetarëve. Ne të rinjtë jemi fuqia e ndryshimit, ne jemi nismëtarët e fillimit të një marrëdhënieje të re mes Policisë dhe Komunitetit. Ne jemi lajmi i keq për krimin dhe shpresa për një të ardhme më të mirë.
Ndaj sot, në një zë të vetëm, të ftojmë të gjithë bashkëmoshatarët tanë, prindërit, motrat e vëllezërit, që të gjithë bashkë të jemi në krahun e Policisë, në krahun e ligjit, pra në krahun e drejtë të historisë.
Cilido prej nesh, që e do qytetin, e do Shkodrën, e do ligjin, të mos heshtë, por të denoncojë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112 apo 129, si dhe në aplikacionin Komisariati Dixhital, por dhe në çdo formë e mundësi që ofron Policia për bashkëpunim.
Ky mesazh le të shkojë në çdo derë, në çdo lagje, në çdo cep të qarkut tonë , por edhe më gjerë, një ftesë për të gjithë të rinjtë anembanë Shqipërisë, PERKRAHNI POLICINE, ndihmojeni atë, që në shkollat tona të mos zotërojë e keqja, por paqja, libri dhe shpresa. Ju faleminderit.