Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 13, Durrës, ku mbeti i plagosur me armë 42-vjecari R. T. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, me precedent penal në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjeti që ka përdorur autori i dyshuar, një palë veshje dhe prova të tjera që shërbejnë për dokumentimin e ngjarjes. Shërbimet e Policisë Durrës, menjëherë pas ngjarjes se ndodhur në lagjen nr. 13, Plazh, ku një person i maskuar dhe me armë zjarri pistoletë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit R. T., plagosi në këmbë me armë zjarri të zotin e banesës dhe u largua me shpejtësi, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, si dhe u ngritën pika kontrolli të shumta dhe u zhvilluan kontrolle në banesa e objekte të ndryshme. Falë veprimeve të shpejta nga grupi hetimor u bë e mundur që brenda pak orëve të zbardhej ngjarja dhe të identifikohej autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Th., 27 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës dhe vijon puna për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Kamzë, Tiranë – Plagos me thikë 25-vjeçarin, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga nga Policia. Sekuestrohet mjeti prerës thikë, me të cilën autori kreu plagosjen. Procedohet penalisht edhe një 34 vjecar, për plagosje të lehtë me dashje. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Kamzë, pas njoftimit të marrë për një konflikt në Bulevardin Blu, ku disa persona ishin konfliktuar me njëri – tjetrin dhe për pasojë një prej tyre ishte plagosur me thikë, menjëherë organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta bënë identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes, konkretisht: I. P., 23 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbatja pa leje e armëve të ftohta”. Arrestimi i tij u krye, pasi ky shtetas, në bashkëpunim edhe me disa shtetas të tjerë, në Bulevardin Blu, Kamzë, poshtë rrethit të Bathores, ka plagosur me thikë, për motive të dobëta, shtetasin R. K., 25 vjeç. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” shtetasi E. K., pasi gjatë konfliktit ka plagosur lehtë me sende të forta shtetasin I. P. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me prokurorinë, nisi hetimin pasuror ndaj shtetasit V. Gj. 40-vjecari V. Gj, i arrestuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 3, pasi u kap me armë zjarri me vete dhe një shumë të madhe parash. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe shuma të mëdha parash. Sekuestrohet edhe një automjet i blinduar që e kishte në përdorim 40-vjeçari V. Gj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrugën “Çamëria”, rreth orës 08:45, të datës 10.02.2020, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Gj, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë. Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, këtij shtetasi iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash. Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja. Po gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. Gj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas. Në vijim të veprimeve, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur hetimi pasuror për shtetasin V. Gj. Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Dibër; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 12 raste të ndërtimit pa leje, 5 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, në Durrës, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Berat.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.