Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë marrë informacione nga qytetarë me banim në Belgjikë, nisur edhe nga publikimi në media i personave në kërkim, për një person të kërkuar për vrasje mbetur në tentativë, i cili jetonte ilegalisht në Belgjikë.
Shkëmbimi i informacioneve mes Interpol Tirana dhe Policisë belge bëri të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Dritan Xhelita, 45 vjeç, banues në Vlorë.
Në kuadër të bashkëpunimit, Policia belge, në koordinim Policinë Kufitare të Rinasit ka bërë deportimin e këtij shtetasi nga Belgjika në Shqipëri.
Gjykata e Apelit Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 14 vite burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentative” ndaj punonjësit të Policisë P. Y.
Policia Kufitare e Rinasit ia ka dorëzuar shtetasin e lartpërmendur Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku dhe është bërë ekzekutimi i vendimit të gjykatës për këtë shtetas.
Policia e Shtetit falënderon autoritetet policore belge për bashkëpunimin mjaft të mirë me Policinë e Shtetit dhe për reagimin profesional e në kohë për rastin konkret.