Me vendim të këshillit bashkiak të Bashkisë Durrës, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës është nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje”, me motivacionin “Për përkushtimin maksimal në ndihmë të popullsisë së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe mbarëvajtjes së rendit në vazhdim”.
Certifikata i është dorëzuar përfaqësuesve të DVP Durrës, gjatë një aktiviteti “Natën e falënderimeve”, të organizuar me humor dhe këngë, për të përcjellë mesazhin e jetës në të gjithë hapësirën durrsake dhe më gjerë. Të ardhurat e kësaj nate do shkojnë në ndihmë të familjeve të viktimave si pasojë e tërmetit.
Zv/Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Gani Zeneli, gjatë marrjes së certifikatës për DVP Durrës, ka falënderuar këshillin bashkiak për këtë vlerësim, duke e parë këtë edhe si një obligim për të punuar akoma më shumë në të mirë të komunitetit, si dhe ka vlerësuar bashkëpunimin me qytetarët, besimin dhe mbështetjen që ata i kanë dhënë dhe i japin strukturave të Policisë, duke i siguruar se Policia është në shërbim të tyre.
Më tej, Zv/Drejtori Zeneli, në emër edhe të Drejtorit të DVP Durrës Lorenc Shehu, ka uruar gjithë qytetarët për një vit të mbarë, me shpresën për më mirë dhe sa më shumë bashkëpunim me njëri-tjetrin për të mirën e përbashkët.
Menjëherë pas rënies së tërmetit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës u angazhuan maksimalisht në ndihmë të popullatës së prekur nga tërmeti, në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe morën një sërë masash, për të garantuar rendin e sigurinë dhe për të parandaluar vjedhjen e banesave.