Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Shtetit – Sekuestrohen në Bulqizë 7680 kapsolla. Procedohen penalisht dy pronarët e dyqaneve ku u gjetën kapsollat. Strukturat e Policisë vijojnë kontrollin e pandërprerë në të gjithë territorin, në subjekte të ndryshme, “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”. Si rezultat i kontrolleve, në Bulqizë, në dy dyqane janë gjetur dhe sekuestruar 7680 kapsolla dhe konkretisht: Në dyqanin në pronësi të shtetasit A. K. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 120 pako, me 60 kapsolla secila dhe në dyqanin në pronësi të shtetasit K. K. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 pako me 60 kapsolla secila. Për këta shtetas filloi procedimi penal dhe materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 e Komisariatin Dixhital çdo rast të tregtimit apo përdorimit të kapsollave, fishekzjarrëve dhe çdo rast të paligjshmërisë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 64 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 1 është ndaluar dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 rast të “Kanosja”, në qarkun Durrës; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Elbasan; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 11 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 11 raste, 2 në Tiranë, 4 në Durrës, 1 në Berat, 2 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Berat, 3 në Fier dhe 1 në Lezhë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.