Raporti i ngjarjeve, 5,6,7 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit

Operacioni “Para drejtësisë”, ekstradohet nga Vjena, një i kërkuar ndërkombëtarisht, për llogari të Gjykatës së Elbasanit.

I ekstraduari, i dënuar me mbi 3 vjet burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Austri, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit N. A, 26 vjeç, i lindur në Bulqizë.

Ai ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Elbasanit, në vitin 2022, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, sepse në vitin 2021, u konstatua në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, në vendin e quajtur “Ura e Lizës”, duke transportuar me furgon, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, 10 emigrantë nga Siria që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe kishin destinacion shtetet e BE-së.

Shtetasi N. A, do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me burgim, rreth 2 vjet.

Pukë/I kërkuar për kultivim të bimëve narkotike,  kapet  në tentativë për të hyrë në Shqipëri dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

33-vjeçari, ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Pukë, pasi  pas hetimeve  disa mujore me metoda speciale të hetimit,  dyshohet si autor i kultivimit të  bimë narkotike në fshatin Dedaj, të njësisë administrative Qelëz.

33 vjeçari u kap në hyrje në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë  Morinë , falë informacionit të siguruar nga Policia e Pukës, shkëmbimit të informacionit  dhe bashkëpunimit me Policinë Kufitare të  Qafë Morinës.

Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative  nga shërbimet e Komisariatit të  Policisë Pukë, për  një shtetas të shpallur në kërkim i cili do të hynte në Shqipëri nga  PPK  Qafë Morinë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Policinë Kufitare, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”,   u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. B., 33 vjeç, banues në Pukë.

Materialet shtesë në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Pogradec

Policia Rrugore zbardh ngjarjen rrugore të ndodhur ditën e  djeshme ku u gjet i pajetë në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, një 40 vjeçar, i cili u aksidentua nga një automjet dhe drejtuesi u largua nga vendi i ngjarjes bashkë me automjetin e tij.

Pas hetimeve dhe kontrolleve intensive  duke përdorur  dhe dron dhe dylbi u bë e mundur identifikimi i automjetit  dhe drejtuesit të tij.

Vihet në pranga 38 vjeçari dhe sekuestrohet në cilësinë e provës materiale automjeti  me të cilin aksidentoi me  pasojë vdekjen 40- vjeçarin.

Në vijim të informacionin paraprak të dhënë ditën e djeshme,  ku në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, tek vendi i quajtur “Ura e Leshnicës”,  u gjet i pajetë  shtetasi F. P. 40 vjeç dhe paraprakisht u dyshua për aksident rrugor, grupi hetimor nën drejtimin  Prokurorisë vijoi veprimet hetimore  për identifikimin e drejtuesit të mjetit, që shkaktoi aksidentin.

Pas një pune intensive të bërë nga Sektori i Policisë Rrugore, që nga mbrëmja e djeshme me këqyrje te kamerave qe ndodheshin ne aksin rrugor Korçë-Pogradec, kontrolle me dron dhe dylbi  të territorit  te fshatrave dhe zonave të banuara përreth vendndodhjes se aksidentit dhe informacioneve të marra ne rruge operative, u bë e mundur që rreth rreth orës 16:40, të lokalizohej nëpërmjet dronit automjeti tip “Volksëagen” i përfshirë në këtë ngjarje rrugore.

Gjithashtu  u  identifikua dhe  drejtuesi i automjetit  shtetasit G. C., 38 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec,

Shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në Komisariat shtetasin G. C., i cili u arrestua për veprat penale ” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”

Ndërsa automjeti  u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Arrestohen 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit:

-F. K., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka kryer punime pa leje në tarracën e pallatit ku banon. Si pasojë e punimeve janë shkaktuar dëme në apartamentet e banorëve të pallatit;

-A. V., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij;

-M. M., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit:

-S. N., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;

-F. N., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Teodor Keko”, duke drejtuar mjetin tip “Nissan”, është përplasur me motomjetin tip “BMV”, me drejtues shtetasin G. A. 59 vjeç, banues në Greqi. Si pasojë drejtuesi i motomjetit është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;

-D. B., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Uillson”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga;

-Y. H., 45 vjeç, banues në Kamëz, pasi në rrugën “Demokracia”, duke drejtuar automjetin tip “Opel” ka aksidentuar një të mitur 9 vjeçe, e cila si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;

-A. H., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në Paskuqan, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe motomjeti ka dalë nga rruga.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Durrës/Qarkullonin me automjet, me armë zjarri dhe lëndë narkotike, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, një sasi lënde narkotike kokainë, 2 mjete prerëse (thika), 3 celularë dhe automjeti.

Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas lëviznin të armatosur, kanë organizuar punën për kapjen e tyre.

Në kuadër të operacionit “Friends”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë ndaluar automjetin e dyshuar. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, një sasi lënde narkotike dhe 3 mjete prerëse (thika), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë më automjetin.

Në përfundim të veprimeve u arrestuan shtetasit M. Gj., 34 vjeç (drejtuesi i automjetit) dhe Y. A., 49 vjeç, të dy banues në Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Dimal

Stacioni i Policisë Dimal referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-R. B., 50 vjeç, banues në fshatin Cukalat, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur me armë gjahu, një 36-vjeçar;

-N. K., 73 vjeç, banues në fshatin Poshnje, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur me mjet prerës (kosë), vëllanë e tij, 70 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 197 shtetas, konkretisht: 46 shtetas janë vënë në pranga, 140 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste. 2 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 31 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 43 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 8 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 12 raste. 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 9 raste, 6 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 17 raste-2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 22 raste- 9 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 21 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-6 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të falsifikimit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të fyerjes dhe 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrave, për të cilin vijojnë hetimet, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i ngacmimit seksual, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i përndjekjes, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i vetëgjyqësisë, shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe neglizhencës në trajtimin mjekësor, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 16 aksidente, si pasojë e të cilave 4 shtetas kanë humbur jetën dhe 18 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 45 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 26 shtetas janë vënë në pranga dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.