Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Subashi”. Operacion nga forcat “Renea” dhe D.V.P. Gjirokastër, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit. Kapet dhe ndalohet një shtetas i dënuar me 35 vjet burgim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në pranga edhe babai i tij për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Sekuestrohet një snajper, një pistoletë, dylbi dhe municion luftarak. Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, strukturat e D.V.P. Gjirokastër, në bashkëpunim me forcat speciale “Renea” kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Subashi”, si rezultat i të cilit në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i personit të shpallur në kërkim për vrasje, konkretisht: Endrik Lluka,31 vjeç, banues në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi gjykata e ka dënuar me 35 vjet burg për veprat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në datën 22.03.2016, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri shtetasin D. Ll. dhe ka plagosur shtetasin B. Ll. Gjatë operacionit, forcat “Renea” kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Bexhet Lluka, 57 vjeç (i ati i Endrikut). Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri snajper, dylbi dhe fishekë luftarakë. Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetasit Bexhet Lluka, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetime të mëtejshme.
Durrës – Tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara, arrestohen në flagrancë 2 shtetase kosovare. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetaseve: A. R., 26 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë dhe K. R., 23 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 11.12.2019, në P.K.K Port, Durrës, kanë tentuar të kalojnë kufirin me dokumente sllovene, të dyshuara si të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Fier – Policia godet një tjetër rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Kapen 27 shtetas irakianë, të cilët kishin hyrë në Republikën e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme. Arrestohet drejtuesi i automjetit që po transportonte shtetasit e huaj. Në kuadër të operacionit rajonal “Joint Action Days” për luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore në Ballkan, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë intensifikuar kontrollet në akset rrugore Fier-Gjirokastër, Fier-Vlorë dhe Fier-Tiranë. Si rezultat i këtyre kontrolleve të ushtruara, janë kapur 27 shtetas irakianë që kishin destinacion final vendet e BE-së. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i drejtuesit të automjetit tip autobus, shtetasi S. P., 54 vjeç, banues në Sarandë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 62 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 11 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar dhe 1 në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 3 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, në Shkodër, ku autori po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 6 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 13 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 3 në Elbasan, 1 në Shkodër, 3 në Berat, 1 në Fier, 1 në Lezhë dhe 2 në Vlorë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.