Më iniciativë të këshilltarit policor të Gjermanisë në Shqipëri z. Ralph Krüger, punonjësit e Policisë të vendeve të BE-së që janë pjesë e operacionit Frontex në Shqipëri janë solidarizuar dhe mblodhën një shumë parash, të cilat iu dorëzuan familjes së Bajram Hajdarmetaj, gjatë ditës së sotme, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga z. Krüger.
Krüger i ka dorëzuar djalit të ish-oficerit të Policisë një panoramë me fotot e të gjithë punonjësve të Frontex-it gjatë shërbimit në Shqipëri, të cilët janë solidarizuar dhe kanë kontribuar për të mbështetur familjen Hajdarmetaj.
Gjithashtu, Ralph Krüger i ka dorëzuar edhe shumën modeste që punonjësit e Policisë kishin dhuruar për familjen Hajdarmetaj.
Familjarët e kanë vlerësuar këtë gjest si shumë human dhe ngushëllues, jo për shumën e lekëve, por për vlerësimin dhe solidaritetin që ata treguan për ish-kolegun e tyre dhe familjarët e tij.