Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 dhjetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 500 000 euro, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave. Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal të nisur prej vitit 2014, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, bënë zbatimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri dhe objekte, si më poshtë: 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum; 1 pemishte në Radhimë; 2 automjete dhe 2 llogari bankare. Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 500 000 euro. Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2014, ndaj shtetasit L. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ky shtetas ka qenë i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme. Veprimet e tjera procedurale vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrjeta”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Lokalizohet, kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krim i organizuar”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm”. Gjatë operacionit, u kap me armë zjarri me vete dhe u arrestua në flagrancë edhe djali i këtij shtetasi. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Interpol Tirana, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Rrjeta”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. I., 56 vjeç, banues në Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka dërguar urdhër-arresti për veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm”. Gjithashtu, gjatë operacionit, në ambientet e një lokali në Fier, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. I., 33 vjeç, banues në Fier. Nga kontrolli personal i ushtruar, 33-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë, një krehër me 15 fishekë dhe një mjet prerës (biçak), të cilat ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në ngarkim të 33- vjeçarit A. I., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Vlorë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Policia vë në pranga 1 shtetas të dënuar me 5 vite e 6 muaj burg nga drejtësia italiane. Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Interpol Tirana  ka bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit L. (F.) B., 35 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit Ancona, Itali me vendimin e datës 26.10.2019, e ka dënuar me 5 vite e 6 muaj burg, për veprat penale “Tentativë vrasjeje” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, sipas Kodit Penal italian. Vijojnë veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt shtetit italian.

Mat – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim. Nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, u kap shtetasi në kërkim F. Sh, 21 vjeç, banues në Klos. Kapja e tij u bë pasi në bashkëpunim me shtetasin D.Sh (i shpallur në kërkim), në qytetin e Klosit, për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta shtetasin M.L, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Mat për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Morinë, Kukës – Arrestohet 29-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për disa vepra penale. Arrestimi i tij, me qëllim ekstradimin në shtetin italian. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Morinë, në dalje, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar R. N., 29 vjeç, banues në Rrëshen. Gjatë përpunimit të dokumentacionit, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane. Gjykata e Chieti, Itali ka lëshuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja e sendeve të vjedhura”, “Armëmbajtja pa leje” dhe”Kërcënim i nëpunësit publik”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 32 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Kukës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 1 në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë dhe 4 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në qarkun Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 4 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.