Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 nëntor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ishulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Operacioni nga Sektori për Hetimin e  Narkotikëve në DVP Lezhë. Sekuestrohet lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe një automjet. Vihen në pranga 3 shtetas si bashkëpunëtorë. Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas që levizte nga Tirana në drejtim të Lezhës posedonte lëndë narkotike, me qëllim shpërndarjen në Ishull Lezhë dhe në qytetin e Lezhës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Ishulli”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: D. A., 39 vjeç, banues në Maminas, Durrës, E. H., 21 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë dhe K. Q., 26 vjeç, banues në Kamëz,Tiranë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë bërë të mundur lokalizimin e personit të dyshuar dhe kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. A., në lulishten e një picerie në Ishull Lezhë. Gjatë kontrollit, Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 160 gr. lëndë narkotike e dyshuar kokainë, të cilën do ta shpërndante në doza të vogla. Si rezultat i veprimeve të shpejta u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi edhe i dy bashkëpunëtorëve të tij, të cilët e prisnin në lulishten e picerisë, me një automjet që drejtohej nga shtetasi K. Q. dhe pasagjer E. H., të cilët së bashku do ta shpërndanin lëndën narkotike në doza.

Këlcyrë – Mbante armë zjarri pa leje në banesë, ndalohet poseduesi i armës. Sekuestrohet një armë zjarri automatik dhe 18 fishekë. Në vijim të kontrolleve të ushtruara, në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe mbi bazën e një telefonate nga qytetarët se shtetasi P. Ç. posedonte armë zjarri, shërbimet e Postës së Policisë Këlcyrë ushtruan kontroll në banesën e këtij shtetasi. Si rezultat i kontrollit të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe 18 fishekë. Specialistët e Postës së Policisë Këlcyrë ndaluan shtetasin P. Ç., 64 vjeç, banues në fshatin Seniçan, Këlcyrë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Gjithashtu, kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me “Shqiponjat” bënë të mundur kapjen e shtetasit E. K., 31 vjeç, banues në fshatin Gusmar, Tepelenë. Shtetasi i mësipërm ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Krujë – Policia e Krujës kap dhe ndalon një të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas i kërkuar ndodhej në banesë, organizuan punën për kapjen e tij. Si rezultat i një pune të mirëorganizuar, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit M. M., 62 vjeç, banues në Qerekë, Krujë. Gjykata e Shkallës së Parë Krujë, në vitin 2017, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Policia Rrugore e Lezhës godet një tjetër rast të mitëdhënies. Arrestohet në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Ulqin, i cili i ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative. Ky shtetas, në aksin rrugor Mamurras – Lezhë, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë, konstatuar nga agjenti verifikues me radar dhe gjatë momentit të ndalimit i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin një kartëmonedhë të prerjes 2 000 lekë, me qëllim shmangien e masës administrative. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 94 shtetas, konkretisht: 37 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, në të gjithë territorin, me 12 autorë të arrestuar në flagrancë, 2 autorë të ndaluar dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Tiranë, ku autori është arrestuar dhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar raste 15 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 11 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Korçë.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.