Raporti i ngjarjeve, 19 mars 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Sarandë/Po ndërtonte pa leje, në tokë publike, në parkun natyror “Syri i Kaltër”, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, bazuar në informacionet e marra se një shtetas po kryente punime ndërtimi, pa leje, në zonën e quajtur “Syri i Kaltër”, Sarandë, kanë ushtruar kontroll në zonë. Nga kontrollet u konstatua se shtetasi H. Gj. kishte nisur të ndërtonte një objekt, në tokë publike, në parkun natyror, pa lejen e organeve kompetente.            

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare u ndalua me iniciativë shtetasi H. Gj., 33 vjeç, banues në Sarandë. 

Gjatë shoqërimit, ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk i është bindur urdhrit të tyre për kryerjen e veprimeve procedurale. 

Vijon puna për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të punonjësve të IVMT dhe të Policisë Bashkiake Finiq, të cilët dyshohet se me mosveprimet e tyre, kanë lejuar ndërtimin e paligjshëm. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, dhe Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Golden hummer”.

Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore, vjedhja në kërcënimin e armës, në një dyqan celularësh, e ndodhur në muajin shkurt, si dhe vjedhja në një argjendari në Rrugën e Dibrës.

Vihet në pranga një 43-vjeçar, si autor i dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës intensive për zbardhjen e dy vjedhjeve të ndodhura në zonat respektive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Golden hummer”, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të autorit të dyshuar.

Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi A. D. (F)., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, më datë 09.02.2024, dyshohet se në kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka vjedhur disa aparate celulare, në një dyqan në rrugën “Myslym Shyri”, dhe më datë 14.03.2024, ka vjedhur disa aksesorë floriri në argjendarinë e shtetasit E. K., në Rrugën e Dibrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Krujë

Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale mbarëkombëtare “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Seeds”.

Operacioni u zhvillua nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Sekuestrohen rreth 3000 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, 4 maska si ato që përdoren për ngjarje kriminale, 1 kamera ambientale, sasi municioni luftarak dhe 3 celularë.

Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacioneve “Tempulli 2”, dhe “Sundimi i ligjit”, për një shtetas që transportonte fara kanabisi dhe posedonte sende të kundërligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Seeds”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi G. D., 26 vjeç, banues në Krujë.

Gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan rreth 3000 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, 4 maska si ato që përdoren për ngjarje kriminale, 1 kamera ambientale, sasi municioni luftarak dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier/Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe punohet për kapjen e 2 të tjerëve, autorë të dyshuar për vepra penale të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. Dh., 59 vjeç, banues në fshatin Pishë Poro, pasi ka ushtruar dhunë ndaj kushërirës së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 22 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier shpallën në kërkim shtetasin E. K., 38 vjeç, pasi dyshohet se nëpërmjet celularit, ka kanosur dhe fyer motrën e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos shpallën në kërkim shtetasin O. K., 50 vjeç, pasi dyshohet se i ka dëmtuar automjetin një shtetaseje, të cilin më pas ia ka marrë me pretendimin se do e riparonte dhe nuk ia ka kthyer.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm  Fier, për veprime të mëtejshme.

Korçë

Dogjën me zjarr 2 automjete, në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia identifikon dhe shoqëron 4 autorët e dyshuar të ngjarjes.

Më datë 19.03.2024, rreth orës 02:00, në lagjet nr. 4 dhe 14, Korçë, ka rënë zjarr në automjetet e shtetasve G. C., dhe J. G., ku si pasojë e zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, ku nga veprimet e para hetimore u identifikuan autorët e dyshuar të ngjarjes. Konkretisht shtetasi K. Sh., 18 vjeç; dy 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet të kenë djegur automjetet pas një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur rreth dy javë më parë, me pronarët e automjeteve G. C. dhe J. G.

Në ambientin e Komisariatit ndodhen të shoqëruar 4 autorët e dyshuar të ngjarjes, për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 14 shtetas janë vënë në pranga, 40 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Për njërin prej tyre vijojnë hetimet për të identifikuar përgjegjësin/t, ndërsa për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas;

-nga 1 rast i veprave penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 3 shtetas në total, të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dhunimi i banesës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Vrasja e foshnjës”, me 1 shtetase të vënë në pranga.

4 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Dhunimi i banesës”, janë kapur.

Ka ndodhur 1 aksident rrugor, me 2 shtetase të dëmtuara. Janë evidentuar 4 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 1 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 të tjerë të kërkuar për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.