Lezhë/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”.
Posedonte një sasi cannabisi, e gatshme për t’u ndarë në doza, me qëllim shitjen në qytet, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.
Procedohet penalisht drejtuesi i automjetit ku ishte pasagjer i arrestuari, pasi posedonte një fenelinë si të Policisë.
Sekuestrohen lënda narkotike, automjeti tip “Volkswagen”dhe fenelina.
Në vijim të patrullimeve që kryhen 24/7, në të gjithë territorin e qarkut, me objektiva parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ato të Patrullës së Rendit të Policisë së Lezhës kanë ndaluar për kontrolle, automjetin me drejtues shtetasin E. Gj. dhe ku ishte pasagjer shtetasi Xh. M..
Nga kontrollet, shtetasit Xh. M. iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e gatshme për t’u ndarë në doza, me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit, ndërsa në automjet u gjet një fenelinë si e Policisë, e cila mbahej ilegalisht nga drejtuesi i automjetit.
Në përfundim të veprimeve procedurale, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, u arrestua shtetasi Xh. M., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Gj., 25 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.