Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, në gjendje të lirë, për shtetasin J. L., 30 vjeç, banues në fshatin Varibob, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi J. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, në gjendje të lirë, për shtetasit:
Xh. M., 39 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;
A. K., 49 vjeç, banues në Fier, pasi ka goditur me grushte, një shtetas 26-vjeçar, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, në gjendje të lirë për shtetasit:
K. T., 46 vjeç, banues në fshatin Çanakaj, Lushnjë, pasi dyshohet se është autor i vjedhjes në një banesë, kryer në muajin nëntor 2023;
A. P., 59 vjeç, banues në fshatin Toshkëz, Lushnjë, pasi dyshohet se ka qëlluar qenin e vëllait të tij, me një armë gjahu që e mban me leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, në gjendje të lirë, për shtetasin D. T., 50 vjeç, banues në fshatin Çermë Shkumbin, Divjakë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke kryer punime ndërtimi në tokën e tij, pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.