Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Elbasan
Gjatë muajit shkurt, vodhi në 2 lokale në lagjen “Haxhias”, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.
I arrestuari, me precedent të mëparshëm për të njëjtin krim.
Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, me qëllim zbardhjen e vjedhjeve në 2 lokale në lagjen “Haxhias”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin A. A., 41 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë muajit shkurt 2024, 41-vjeçari dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe pajisje, në këto 2 lokale.
Ndërkohë, vijon puna për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Kuçovë
Tentoi të vidhte para, në një dyqan, si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 55-vjeçari.
Mbrëmjen e djeshme, sapo janë njoftuar se një shtetas kishte hyrë në një dyqan në lagjen “11 Janari”, për të vjedhur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bënë identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit Xh. L., 55 vjeç, banues në Kuçovë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë/Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra penale të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin A. Sh., 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka dhunuar fizikisht motrën e tij 29-vjeçare, dhe ka goditur me send të fortë shtetasin Xh. E.
Këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. Q., 55 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur me mjet prerës, një 27-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë vunë në pranga shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në Fier, pasi ka kallëzuar një shtetase se 27-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e saj, 12 vjeçe. Vijojnë veprimet për verifikimin e këtij kallëzimi.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Vlorë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 35 vjeç, pasi ditën e djeshme, automjeti që drejtonte ky shtetas, në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet tjetër, në rrugën “Ismail Qemali“. Nga përplasja është dëmtuar jashtë rrezikut për jetën, 35-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Sarandës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Korçë, ndaluan shtetasin S. L., 32 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë e ka dënuar me 24 ditë burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan prokurorisë kompetente, për veprime të mëtejshme.
Fier/Goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shinat”. Sekuestrohen armë zjarri, armë gjahu dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
Policia kap në flagrancë dhe vë në pranga poseduesin e armëve dhe të municionit.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Shinat”, si rezultat i të cilit u godit një tjetër rast i mbajtjes pa leje, të armëve dhe municionit.
Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. I., 31 vjeç, banues në Fier.
Nga kontrollet, 31-vjeçarit iu gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 2 krehra me fishekë dhe 530 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me celularin e të arrestuarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”.
Goditen nga Komisariati i Policisë Nr. 1, dhe Komisariati i Policisë Nr. 3, dy raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Vihen në pranga 4 shtetas, dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, që ushtronin këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohen doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, shuma parash të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, dhe dy grirëse për lëndën narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacione se disa shtetas shisnin lëndë narkotike kanabis, në doza, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”, dhe në zonën “Don Bosko”, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara:
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 21 vjeç, dhe S. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu proceduan penalisht shtetasit H. P., 21 vjeç, dhe R. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në afërsi të një shkolle, në rrugën “Ismail Qemali”.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në “Don Bosko”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit O. Sh., 30 vjeç, dhe M. H., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në zonën “Don Bosko”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, shuma parash të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, dhe dy grirëse për lëndën narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Lushnjë/Inteligjenca policore dhe kontrollet në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, mundësojnë 3 goditje të tjera kundër armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, një numër i konsiderueshëm fishekësh, 1 armë e ftohtë dhe 1 mjet prerës.
Për 3 rastet, procedohen penalisht 3 shtetas dhe punohet për arrestimin e poseduesit të armës së zjarrit dhe municionit.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për disa raste të posedimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë finalizuan operacionin policor të koduar “Kasharaj”. Gjatë operacionit:
1.u shpall në kërkim shtetasi A. K., 34 vjeç, banues në fshatin Kasharaj, pasi nga kontrollet në banesën e tij, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra me fishekë dhe 224 fishekë luftarak. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e 34-vjeçarit, shtetasin R. K., sepse dyshohet si bashkëposedues i armës dhe municionit;
2.u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. Sh., 22 vjeç, banues në fshatin Kosovë e vogël, pasi nga kontrolli në automjetin pa targa, që drejtonte, u gjet një armë e ftohtë (shkop bejsbolli);
3.u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. L., 24 vjeç, banues në Lushnjë, pasi nga kontrolli fizik, iu gjet një mjet prerës (thikë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër/Menjëherë pas sinjalizimit, Policia ndërhyn për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një rasti dhune në familje.
Vihet në pranga 43-vjeçari që dhunonte bashkëshorten, në prezencë të vajzës së tyre të mitur.
Ky shtetas gjithashtu kundërshtoi me forcë, efektivët e Policisë, gjatë shoqërimit.
Sapo janë njoftuar për një rast të dhunës në një familje që banonte në lagjen “Pllakë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në banesë, për të arrestuar shtetasin përgjegjës dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Menjëherë u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi S. Xh., 43 vjeç, banues në Gjirokastër.
43-vjeçari dhunonte bashkëshorten në prezencë të vajzës së tyre 13 vjeçe dhe gjatë shoqërimit, kundërshtoi me forcë, punonjësit e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Komisariati i Policisë Nr. 3, angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, si dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”.
Vidhte kuleta dhe celularë, në stacionet e autobusëve dhe në rrugëkalimet e këmbësorëve, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Dokumentohen 4 vjedhje të kësaj natyre, të kryera nga ky shtetas, gjatë ditëve të fundit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve të qytetarëve të ndryshëm, për raste të vjedhjes së portofolave dhe celularëve të tyre, në disa stacione autobusi, me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni”.
Si rezultat u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. P., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 41-vjeçari iu vidhte shtetasve të ndryshëm, celularët dhe portofolat/kuletat, në stacionet e autobusëve dhe në rrugëkalimet e këmbësorëve. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, gjatë ditëve të fundit, ka vjedhur 3 celularë dhe 1 portofol.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin P. G., 53 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe vajzës së tyre.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. T., 38 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. P., 20 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, pasi ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 209 shtetas, konkretisht: 61 shtetas janë vënë në pranga, 131 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 17 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 19 raste- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 25 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 6 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 11 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 14 raste- 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 26 raste, 15 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 6 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 16 raste- 12 shtetas janë vënë në prang, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 24 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të falsifikimit, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të krimeve kibernetike, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim. Për një rast të mëparshëm ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 1 shtetas tjetër;
-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të veprës penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Fyerja”, “Dhunimi i banesës”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
3 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Përndjekja”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, janë kapur.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilave 12 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 31 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 19 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.