Durrës/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Tempulli 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Choko”.
Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike kokainë dhe cananbis.
Sekuestrohen 131.5 gramë cannabis sativa në trajtë çokollate, doza kokaine, 1 peshore elektronike që shërbente për ndarjen në doza të lëndëve narkotike, 1 automjet dhe 4 celularë.
Vihen në pranga 4 shtetas që kryenin këtë veprimtari kriminale.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli 2”, si rezultat i hetimeve disajavore dhe informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në fshatin Xhafzotaj, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Choko”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasit A. B., 32 vjeç, A. B., 37 vjeç, E. K., 48 vjeç, të tre banues në fshatin Xhafzotaj, Durrës dhe Sh. D., 34 vjeç, banues në fshatin Shtrazë, Shijak, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike cannabis sativa në formën e çokollatës, në fshatin Xhafzotaj, Durrës. Gjithashtu, para kontrollit nga Policia, kanë tentuar të prishin provat materiale, në banesën e shtetasit A. B., si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 131.5 gramë lëndë e dyshuar narkotike canabis sativa në trajtë çokollate, disa doza lënde të dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike që këta shtetas e përdornin për të ndarë lëndën narkotike në doza, 1 automjet dhe 4 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.