Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare kundër Krimit të Britanisë së Madhe (NCA): “Bashkëpunimi me Policinë shqiptare, model për t’u ndjekur”.
Gjatë vitit 2023, partnerët britanikë i dhanë Policisë së Shtetit shqiptar, çmimin “Ekselenca 2023”, si partneri më i mirë ndërkombëtar për ta.
Në ambientet e DPPSH-së, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mirëpriti Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit të Britanisë së Madhe (NCA). Në takim gjithashtu të pranishëm Ambasadori britanik Sh. T. Z. Alastair King-Smith, si dhe Zv/drejtori i Agjencisë, menaxheri që mbulon rajonin dhe oficerë ndërlidhës të saj.
Fokuse të këtij takimi:
ngritja e një task force kundër krimit të organizuar;
ngritja dhe konsolidimi i skuadrave të përbashkëta hetimore;
shkëmbimi i vendimeve penale, me qëllim sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga krimi;
shkëmbimi i menjëhershëm i informacioneve, me qëllim goditjen e grupeve kriminale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku në takim evidentoi rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2023, më të mirat e arrira përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe menaxhimit të fluksit shumë të lartë të turistëve, pa u shënuar ngjarje kriminale. Më tej, Drejtori rikonfirmoi zotimin e Policisë së Shtetit si partnere stoike, profesionale dhe e besueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër aseteve të tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare kundër Krimit të Britanisë së Madhe (NCA) z. Graeme Biggar e cilësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si model për t’u ndjekur nga agjenci të tjera të zbatimit të ligjit.
Gjithashtu, nënvizoi se ky bashkëpunim është ndërtuar mbi themele të forta besimi, të cilat u dëshmuan dhe nga rezultatet shumë të mira të punës së Task Forcës kundër Emigrimit të Paligjshëm.