Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Durrës/Vijon zbatimi i masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Zëvendësimi”. Sekuestrohet një automjet me targa të vjedhura, që dyshohet se do të përdorej për të kryer ngjarje kriminale.
Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me targa të vjedhura, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje.
Shpallet në kërkim një 26-vjeçar, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen e targave.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që qarkullonte me një automjet me targa të vjedhura, që mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zëvendësimi”, për kapjen e këtij shtetasi dhe sekuestrimin e automjetit.
Gjatë operacionit, në Spitallë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin A. S., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap shtetasi A. S. dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 48 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vrasje.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.
Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Collaboration”, si rezultat i punës së inteligjencës policore, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.
Transportonin me furgon, 10 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, arrestohen 2 shtetas.
Drejtuesi i furgonit kishte me vete një sasi lënde narkotike kokainë, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin dhe me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, për 2 shtetas që do të transportonin kundrejt pagesave, emigrantë nga Vendet e Treta, shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me specialistët e AMP Gjirokastër-Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Collaboration”.
Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit E. R., 48 vjeç banues në Korçë dhe G. H., 38 vjeç banues në Tiranë.
Ata u kapën në flagrancë, në aksin nacional “Gjirokastër-Tepelenë”, teksa transportonin drejt Tiranës, me një furgon që drejtohej nga shtetasi E. R., 10 emigrantë, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga kontrolli fizik, 48-vjeçarit iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
DVP Berat/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë arrestuan në flagrancë shtetasin T. K., 61 vjeç, banues në Kuçovë, pasi mbrëmjen e djeshme, dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), djalin e motrës së tij, shtetasin G. V., 46 vjeç, banues në Kuçovë, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Sh., 41 vjeç, banues në Berat, pasi iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike kokainë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat, pas ndalimit të shtetasit kosovar të shpallur në kërkim V. M., 31 vjeç, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për të, sepse dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. D., banues në fshatin Rërëz, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi, ka bllokuar një pjesë rruge në fshatin Rërëz, mbi të cilën pretendon se ka të drejtat e pronësisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
DVP Elbasan
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me ata të qarkullimit rrugor, vunë në pranga shtetasin S. I., 23 vjeç, banues në Peqin, pasi mesditën e djeshme, në qytetin e Peqinit, dyshohet se për shkak se ka humbur kontrollin, automjeti që drejtonte ky shtetas ka shkaktuar dëme të vogla materiale në ambientet e jashtme të një lokali. Gjithashtu, gjatë shoqërimit shtetasi S. I. ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. A., 20 vjeç, banues në Elbasan, pasi iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policise Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. Gj., 23 vjeç, banues në fshatin Tregan, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 17-vjeçare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 49 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të kërkuar për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, 2 shtetas në kërkim për vepra penale në këtë fushë, janë kapur
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 4 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Fyerja” dhe “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, 1 shtetase i shpallur në kërkim për falsifikim, është kapur.