Raporti i ngjarjeve, 21 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Tiranë

Ushtruan veprime të dhunshme gjatë protestës së ditës së djeshme, duke hedhur lëndë piroteknike (kapsolla, flakadanë, molotov), në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të një insitucioni shtetëror, arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me aktet e dhunës, gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, më datë 20.02.2024, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. T., 21 vjeç, A. M., 18 vjeç, B. K., 37 vjeç dhe I. S., 33 vjeç.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

A. I., 20 vjeç, R. Sh., 20 vjeç, M. M., 20 vjeç, M. S., 19 vjeç, G. P., 22 vjeç, dhe D. Th., 21 vjeç.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

21 flakadanë të plasur;

1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur;

37 bidona plastikë uji, 0.5 L;

6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë;

3 kapsolla.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së ditës së djeshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Shkodër

Vijon megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Malësi e Madhe/Posedonin armë, lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme, arrestohet një 17-vjeçar dhe procedohet penalisht një 16-vjeçar.

Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, municion luftarak, 1 maskë dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Shkodër/Vinte baste sportive, me celular, në lokalin e tij, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari dhe i sekuestrohet celulari.

Në zbatim të planit kombëtar të masave të koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale, si dhe për garantimin e sigurisë dhe të drejtave të shtetasve, Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet, sigurimin e inteligjencës informative dhe bashkëpunimin me qytetarët. Në këtë kuadër:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe vunë në pranga një 17-vjeçar dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, pasi dyshohet se posedonin 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 23 fishekë luftarak, 1 maskë dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan nga shërbimet e Policisë. Arma e zjarrit dhe sendet e tjera do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë të mëtejshme;

-këto shërbime arrestuan dhe shtetasin E. B., 42 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka kanosur për gjakmarrje, një 57-vjeçar që rreth 10 vjet më parë ka qenë i përfshirë në një aksident rrugor me pasojë vdekjen e vëllait të shtetasit E. B.;

-specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin E. A., 37 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap në flagrancë, në lokalin e tij, në lagjen “Tre Heronjtë”, duke vënë baste sportive, me celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Kuçovë

Finalizohet pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Show”.

Operacioni, nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Shfrytëzonin një të mitur 10 vjeç, me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok, duke postuar video të tij, me fjalë denigruese dhe banale, vihen në pranga 2 shtetas (babai dhe gjyshja e të miturit).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast.

Si rezultat i hetimeve dymujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve A. K. dhe N. R.

Pas sigurimit të inteligjencës policore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për vendndodhjen e këtyre 2 shtetasve, u organizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Show”.

Në kuadër të operacionit, u kapën në Sarandë, 2 shtetasit e shpallur në kërkim, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Kuçovë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë ndaluar shtetasit A. K., 44 vjeç dhe N. R., 67 vjeçe, të dy banues në Sarandë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë

Finalizohet nga Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, operacioni policor i koduar “Milano 2”.

I akuzuar nga autoritetet italiane, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një 35-vjeçar.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Milano 2″.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në Sauk, dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin S. S., 35 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

DVP Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Informaliteti”, kundër krimeve ekonomiko-financiare.

Shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara nga Anglia dhe fshihte të ardhurat nga ky biznes, procedohet penalisht 31-vjeçari.

Sekuestrohen 11 automjete tip “Benz”.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se një shtetas shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara, në servisin e tij në fshatin Kryebushat, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kuadër të operacionit “Informaliteti”, goditën këtë veprimtari të kundërligjshme.

Për rastin u referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Shjezë.

Pas kontrolleve dhe verifikimeve në servisin e 31-vjeçarit, shërbimet e Policisë sekuestruan 11 automjete tip “Benz”, të dyshuara të kontrabanduara nga Anglia, me qëllim shitjen në pjesë, aktivitet për të cilin, ky shtetas nuk deklaronte të ardhurat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Korçë

Policia, veprime hetimore shtesë për ngjarjen e ndodhur 3 ditë më parë, në fshatin Mborje, ku u arrestua një 71-vjeçar, i cili dhunoi bashkëshorten e tij (e pajisur me urdhër mbrojtjeje) dhe posedonte lëndë shpërthyese në banesë.   

Si rezultat i kontrolleve të mëtejshme, bazuar në inteligjencën policore, gjenden armë dhe sende të tjera të paligjshme, të cilat 71-vjeçari i kishte fshehur në një ambient të mbyllur me mur.

Sekuestrohen 1 armë gjahu, 2 armë zjarri, 6 krehra të armës së zjarrit, sasi municioni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, 5 granata të llojeve të ndryshme dhe 3 ndezës granatash.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 17.02.2024, në fshatin Mborje, Korçë, ku si rezultat i veprimeve policore u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. M., 71 vjeç, pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, që është e pajisur me urdhër mbrojtjeje, si dhe posedonte në banesë, 2 granata dore dhe një sasi municioni luftarak, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontrolle të tjera.

Konkretisht, gjatë kontrollit në një magazinë ngjitur me banesën e 71-vjeçarit, ambient i përshtatur dhe i mbyllur me mur, u gjetën 1 armë gjahu, 2 armë zjarri, 6 krehra të armës së zjarrit, sasi municioni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, 3 ndezës granatash, 2 granata ofensive, 2 granata difensive dhe 1 granatë cilindrike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 28 shtetas janë vënë në pranga, 46 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste– 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të kërkuar për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 1 shtetas është ndaluar, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 8 raste- 3 shtetas jantë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 3 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me 5 shtetas në total, të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

4 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

Për raste të mëparshme të veprave penale:

-“Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, është ndaluar 1 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër;

“Mjekimi i pakujdesshëm”, ka nisur procedimi penal për 1 shtetase.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.