Lushnjë/Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, goditet një tjetër rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Vinin baste sportive, me celularë, në një lokal, në lagjen “Loni Dhamo”, arrestohet 1 shtetas (organizatori i kësaj veprimtarie), procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen 4 celularë.
Si rezultat i kontrolleve në lokale ku dyshohet se organizohen dhe luhen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë goditën 1 rast tjetër të kësaj veprimtarie. Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi N. S., 27 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. Gj., 35 vjeç, D. B., 21 vjeç dhe A. S., 56 vjeç (pronari i lokalit).
Shtetasi N. S. (djali i pronarit të lokalit) dhe shtetasit e tjerë u kapën në flagrancë, në këtë lokal, teksa vinin baste sportive, me celularët e tyre, të cilët u sekuestruan si provë materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.