Raporti i ngjarjeve, 16 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Korçë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Goditen 2 raste të tregtimit të mallrave kontrabandë dhe fshehjes së të ardhurave.

Tregtonin dhe çmontonin në pjesë në serviset e tyre, automjete të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në Shqipëri, vihet në pranga 1 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 1 tjetri.

Sekuestrohen 36 automjete, pjesërisht të çmontuara, pa dokumentacionin përkatës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra dhe informalitetit, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë vijuar kontrollet në ambiente/subjekte të ndryshme. Si rezultat, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Çiflig, Korçë, janë goditur dy raste të kësaj paligjshmërie ku në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi:

Sh. G., 27 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe vijon puna për kapjen e shtetasit A. S., 50 vjeç, banues në Korçë.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se këta dy shtetas ushtronin veprimtari të paligjshme në serviset e tyre respektive, shërbimet e Policisë ushtruan kontrolle ku konkretisht në servisin e shtetasit Sh. G., gjetën 30 automjete, pa dokumentacionin përkatës, të pashoqëruar me faturat blerëse. Gjithashtu gjatë kontrollit në servisin e shtetasit A. S., i cili rezultoi i paregjistruar në organet përkatëse u gjetën 6 automjete të tjera, pa dokumentacionin përkatës, të pashoqëruar me faturat blerëse.

Në cilësinë e provës materiale për këto dy raste u sekuestruan 36 automjete, me pjesë të çmontuara, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar nga Anglia, në Shqipëri.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Handle”. 

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Mbante në banesë, armë zjarri pistoletë, krehër, municion luftarak dhe jelek antiplumb, arrestohet në flagrancë 62-vjeçari.      

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Handle”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Ç., 62 vjeç, banues në Mëzez, Tiranë. 

Gjatë kontrollit në banesën e 62-vjeçarit, në fshatin Mëzez, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë, krehër, municion luftarak dhe një jelek antiplumb.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Sarandë

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Befasia”. 

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë.

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, krehra dhe municion luftarak, vihet në pranga 34-vjeçari që i posedonte.

34-vjeçari, i shpallur në kërkim në vitin 2022, për plagosje të rëndë me dashje.   

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, i cili dyshohej se posedonte dhe armë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Befasia”.  

Si rezultat i këtij operacioni, u ndalua shtetasi E. C., 34 vjeç, banues në Sarandë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 19.12.2022, i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” sepse dyshohet se më datë 15.12.2022, në lagjen nr. 3, para spitalit të Sarandës, ka goditur disa herë me grushte rojën e këtij spitali, për motive të dobëta.  

Gjatë kontrollit në banesën ku fshihej ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 2 armë zjarri pistoleta dhe 3 krehra me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme. 

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 36 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i kërkuar për vepra penale në këtë fushë, është kapur.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim. 2 shtetas të kërkuar për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të kërkuar për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i kërkuar për vepra penale në këtë fushë, është kapur.

Është evidentuar 1 rast i krimeve kibernetike, për të cilin po punohet për zbardhjen, si dhe për identifikikim dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të përgjegjësit/ve.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-nga 2 raste të veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Fyerja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Të gjitha rastet kanë nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga. 1 shtetas tjetër i kërkuar për këtë vepër penale, është kapur;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.