Dibër/Vijon zbatimi i planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.
I dënuar me 16 vjet burgim, për trafikim të femrave për prostitucion, vihet në pranga 47-vjeçari.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën dhe PKK Rinas, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “The end”.
Gjatë operacionit, në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Zabit Fisniku alias Artur Fisniku, 47 vjeç, banues në fshatin Trenë, Dibër.
Në vitin 2005, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 16 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i femrave për prostitucion”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.