Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm, në ceremoninë e certifikimit të kursantëve të rinj

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, në ceremoninë e certifikimit të kursantëve që kanë përfunduar me sukses kursin e 18-të për “Patrullë e Pergjithshme”, ceremoninë e fillimit të studimeve të kursantëve të rinj në Kolegjin Profesional të Formimit Policor dhe të fillimit të kursit për “Specialist për Hetimin e Krimeve”, për studentët që kanë mbaruar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë.

I nderuar zoti Ministër,
I nderuar Kryetar i Komisionit të Sigurisë,
Te nderuar partnerë,
Të nderuar pjesëmarrës,

Policia e Shtetit, në sajë dhe të politikave të qeverisë, i është nënshtruar një procesi reformimi, proces i cili ka qenë kapilar, duke prekur organizimin strukturor të saj, në funksion të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ndryshime këto të shoqëruara me forcimin e rolit të punonjësit të Policisë në komunitet.
Ky ndryshim rrënjësor nuk ka se si të arrihet pa pasur një bazë të fortë dhe të qëndrueshme, atë të formimit akademik të trupës policore që bëhet pjesë e programeve të Akademisë së Sigurisë.
Transformimi dhe përmirësimi i procesit akademik, nëpërmjet programeve të arsimit dhe trajnimit të trupës policore, me synim të qartë, atë të nxjerrjes nga bankat e Akademisë së Sigurisë, si institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e rendit dhe sigurisë publike, të kuadrove policor të kualifikuar, plot dije si profesionale dhe njerëzore, por edhe të trajnimeve vijuese, periodike, të avancuara dhe të specializuara.
Përveç eksperiencës profesionale të profesorëve të kualifikuar të Akademisë së Sigurisë, ekspertizës akademike i është shtuar këtij institucioni dhe një numër marrëveshjeve të lidhura për binjakëzime, trajnime dhe shkëmbim eksperiencash me institucione arsimore të shteteve mike, të cilat sjellin eksperiencën e tyre më të mirë për arsimin policor, si në shkëmbim të programeve, planeve mësimore por edhe në kryerjen e trajnimeve të oficerëve/profesorëve të AS pranë shkollave dhe strukturave trajnuese, ku këtu përmendim ato të Policisë Italiane, Mbretërisë së Bashkuar, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Progresi i AS-së ka qenë në përmirësim nga viti në vit, ku fokusi jonë ka qenë dhe mbetet i ndërtuar në disa shtylla kryesore, ndër të cilat do të përmendja:
1- Arsimimi, i cili fillon në kolegjin e Policisë, vazhdon në Fakultetin për Sigurinë dhe Hetimin, dhe më pas në trajnimet e vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit;
2- Rifreskimi i trupës policore me moshë të re;
3- Rritja e nivelit të kapaciteteve profesionale, duke bërë pjesë të Policisë së Shtetit specialist të fushave përkatëse, të cilët nuk mund të përgatiten në AS;
4- Përmirësimi i balancës në barazi gjinore, ku kemi synuar rritjen e punonjëseve të gjinisë femërore në Policinë e Shtetit.
Sot përfunduan shkollën bazë 385 inspektor, dhe po sot e fillojnë shkollën bazë të Kolegjit të Policisë 400 të tjerë. I urojmë shumë suksese të sapo diplomuarve, po ashtu dhe studentëve të rinj të cilët u përzgjodhën, pas një procesi transparent dhe objektiv konkurimi.
Ju uroj mirëseardhjen në familjen e madhe të Policisë së Shtetit edhe 103 studentëve, të cilët kanë mbaruar ciklin e arsimit të larte, dhe sot fillojnë në Fakultetin për Sigurinë dhe Hetimin. Ata janë përzgjedhur në bazë të kritereve të forta dhe një konkurimi rigoroz.
Ju uroj suksese studenteve të pranuar për funksione të veçanta, që vazhdojnë rrugën e dijes për tu bërë pjesë e organizatës së policisë.
Me këtë numër në rritje të studentëve të rinj, të cilët janë bërë dhe do të bëhen pjesë e familjes tonë, ju uroj suksese në punën e tyre studentëve që sapo përfunduan, punë e cila ka sfida në vetvete, por është një punë e ngritur mbi bazën e parimeve të shtetit ligjor, por edhe të fisnikërisë së detyrës në raport me qytetarët, të cilët e shohin dhe duhet ta shohin Policinë e Shtetit si derën e sigurisë, të besimit, derë të cilën duhet ta mbani hapur, me etike, korrektësi, pastërti dhe profesionalizëm.
Nëse të gjithë këto komponent bëhen bashkë dhe i mbajmë në përditshmëri të rifreskuara, jam i bindur se Policia e Shtetit do të rrisë emrin e saj të mirë, do të shtoj ndërgjegjen qytetare për t’ju adresuar në çdo rast, po ashtu ju do të jeni promotor të urës së fuqishme të lidhjes ndërmjet Policisë dhe komunitetit.
Atij komuniteti për të cilin jemi të orientuar dhe të mirë formuar në aspektin profesional me filozofinë më të përparuar të policimit në komunitet, ku bazat sot i morët nëpërmjet mirëarsimimit.
Për ju studentë të rinj, le t’ju shërbejnë këto fjalë për ti dhënë forcë vetes, që të jeni të fokusuar në mësimmarrjen që do t’ju jepet nga Akademia e Sigurisë, në forcimin e aktiviteteve dhe përgatitjeve fizike por edhe të studimit shtesë profesional, për të qenë të denjë dhe dinjitoz në përballjen në terren dhe në praktikë.
Do ndalem pak tek niveli i mësimdhënies: Akreditimi i Akademisë së Sigurisë, është i rëndësishëm por nuk është maja e suksesit. Sepse Akreditimi kërkon një trupë mësimore më të përgatitur dhe më kërkuese, jo vetëm për të rritur cilësinë e mësimdhënies, por edhe në përvetësimin e programit mësimor nga studentët, si në shkollën bazë ashtu dhe në fakultet. Vlerësimi i studentëve duhet të jetë real. Ata që e meritojnë, të vazhdojnë rrugëtimin në radhët e policisë, dhe kush s’e meriton, nuk ka pse të jetë barrë për organizatën. Për këtë do të ndërmerren hapat e nevojshme, që Akademia e Sigurisë të jetë e barabartë në nivel me Institucionet e Arsimit të Lartë.
Të nderuar Inspektorë të sapo diplomuar, dhe ju Nënkomisarë që do të diplomoheni.
Të qenit punonjës i Policisë së Shtetit, është mision fisnik dhe detyrë e shenjtë e rrethuar çdo ditë nga përgjegjësia e lartë qytetare dhe për qytetarët, se pa ta ekzistenca e organizatës tonë do të kishte riskun të minimizohej, ndaj është detyra juaj sot, dhe në vijim, që emrin e Policisë së Shtetit ta rrisni me forcë dhe përkushtim çdo ditë. Policia e Shtetit të ketë emrin tuaj.
Vendosini objektiva të qarta në vetvete ju, që sapo u diplomuat dhe ju që po i futeni rrugës së shkollimit bazë, por këto objektiva do të arrihen me përkushtim, sakrificë dhe ndershmëri, mbi baza integriteti moral dhe profesional, për të cilat shpreh bindjen se i keni dhe do ti forconi.
Uniforma, që tashmë ju do të mbani, mbart në vetvete historinë, traditat dhe sakrificat e brezave të Policisë së Shtetit, që janë përballur pa kompromis me krimin, duke mos kursyer edhe gjënë më të çmuar, jetën.

Me mbështetjen e gjithanshme të Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, në sajë të një procesi shumë dimensional reformimi, Akademia e Sigurisë është shndërruar sot në një institucion të rëndësishëm të shkollimit dhe trajnimit policor.

Përmes programeve të shkollimit dhe trajnimit të vazhdueshëm, programeve për studime e kërkime shkencore në fushën e rendit publik e investigimit të krimit, Akademia e Sigurisë është kthyer në një auditor për arsimimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë.

Ky proces do të përmirësohet edhe më tej, me synim formimin e një personeli policor të aftë profesionalisht, për t’u përballur denjësisht me sfidat e reja, të cilat Policia e Shtetit i ka përcaktuar në strategjitë e saj të miratuara sipas drejtimeve funksionale.

Ju uroj suksese në punë të sapo diplomuarve, ju uroj studime të mbara studentëve të rinj, dhe ju falenderoj që do të jeni pjesë e pandashme dhe vlerë e shtuar në garantimin e sigurisë për qytetarët, në luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, si dhe në rritjen e bashkëpunimit me aleatin tonë më të çmuar, qytetarët.

Faleminderit!