Policia e Shtetit kontribuoi efektivisht, nëpërmjet një profesionalizmi dhe konspiracioni të lartë, për finalizimin e operacionit ndërkombëtar antidrogë, të koduar “Muratori”.
Operacioni ndërkombëtar “Muratori” u iniciua nga Drejtoria Antimafia e Firences dhe angazhoi Policinë shqiptare, SPAK-un, EUROPOL-in, Zyrën e Ekspertit të Sigurisë së Ambasadës, në Shqipëri, njësitë FAST, si dhe Policitë e Spanjës, Holandës dhe Gjermanisë.
Operacioni, rezultat i hetimeve dyvjeçare (2019-2021), goditi një rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike (cannabis sativa, kokainë, heroinë dhe MDMA). Lëndët trafikoheshin në Itali, nga Shqipëria ose Holanda, me qëllim shitjen në Firence, në provinca të tjera të Italisë dhe në Gjermani.
Rrjeti, i përbërë nga shtetas italianë dhe shqiptarë, ishte organizuar në 4 struktura të ndryshme kriminale, me baza në Toskanë, Shqipëri dhe Holandë. Pjesëtarët kishin siguruar kushtet logjistike (depo, punishte dhe mjete), në Firence dhe në Bolonjë, për t’i shërbyer kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni, Policia e Shtetit ekzekutoi urdhrat e SPAK-ut, për arrestimin e 9 shtetasve, konkretisht: A. K., 37 vjeç, E. K., 36 vjeç, V. L. alias V. L., 37 vjeç, M. M., 28 vjeç, E. M., 35 vjeç, A. R., 29 vjeç, F. M. alias F. Xh., 36 vjeç, K. I. alias A. I., 36 vjeç dhe E. M., 46 vjeç. Këta shtetas u arrestuan me qëllim ekstradimin në Itali, pasi Gjykata e Firences iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Në vijim, në zbatim të këtyre urdhrave të nxjerrë në kuadër të operacionit “Muratori”, u ekzekutua masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, mbi: llogari bankare në 10 banka të nivelit të dytë, 29 subjekte tregtare, 51 automjete, 18 pasuri të paluajtshme, 50 autovetura dhe motomjete. Gjithashtu, u sekuestruan 14.3 kg kokainë, 34 kg heroinë, 30 kg hashash, 68 kg marijuanë dhe 3600 euro.
Bashkëpunimi fazë pas faze, i Policisë së Shtetit me agjencitë më të rëndësishme ndërkombëtare të zbatimit të ligjit rivuri theksin të profesionalizmi, integriteti dhe besueshmëria e Policisë së Shtetit, si standarde me të cilat ajo prezantohet tashmë, në planin ndërkombëtar.