DVP Vlorë – Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 8 të tjerë

DVP Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan shtetasin E. H., 39 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 07.08.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Po nga këta specialistë u ndalua shtetasi Françesko Izetaj, 25 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka dënuar me 20 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. D., M. K., L. P., B. S. dhe F. D., pasi në lagjen “Isa Boletini”, në lokalin e shtetases E. D., 4 shtetasit e tjerë (muzikantë) kanë vënë muzikë në tejkalim të normave të lejuara.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit O. D. dhe Th. D., pasi ka bërë kallëzim shtetasi S. Dh., se këta shtetas (kushërinjtë e tij) e kanë goditur me grushte, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. B., banues në Sarandë, pasi ka bërë njoftim të rremë në organet e rendit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.