Raporti i ngjarjeve, 2 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Malësi e Madhe/Inteligjencë policore dhe koordinim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.   

Finalizohet operacioni policor i koduar “Jeran”, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.

Pjesëtar i një grupi kriminal që për një periudhë 7-vjeçare, trafikoi në Itali, 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë, arrestohet me qëllim ekstradimin, 31-vjeçari.

Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe finalizuan operacionin policor të koduar “Jeran”.

Gjatë operacionit u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi K. U., 31 vjeç.

Gjykata e Milanos i ka caktuar 31-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.

Nga hetimet rezultoi se grupi kriminal në të cilin ishte pjesëtar shtetasi K. U., gjatë periudhës 2015-2022, ka trafikuar në Itali, rreth 3.4 tonë cannabis sativa dhe 35 kg kokainë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar 195 953 euro dhe 1430 franga të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Romë, për ekstradimin e këtij shtetasi.

Durrës/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”.

Kapet dhe vihet në pranga një 29-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera me intensitet nga Policia e Durrësit, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, si dhe i hetimeve të ndjekura me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që prodhojnë dhe/ose shesin lëndë narkotike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ndaluan shtetasin:

R. B., 29 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, pasi nga hetimet e kryera në bashkëpunim  me Prokurorinë, dyshohet se është implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.   

Megaoperacioni vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. 

DVP Tiranë

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike finalizon pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacionin policor të koduar “Turbulencë”.  

Vihen në pranga 4 shtetas të cilët kishin përshtatur ambientet e disa subjekteve, për organizimin e lojërave të fatit, si dhe ushtronin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve.  Procedohen penalisht 3 të tjerë.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 7 celularë që shërbenin për vënien e basteve sportive, 92 600 lekë të rinj, dhe 475 euro, të dyshuara të përftuara nga ky aktivitet i paligjshëm.   

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Turbulencë”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. M., 25 vjeç, E. S., 22 vjeç, Sh. N., 32 vjeç, A. S., 36 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit A. M., 50 vjeç, O. Sh., 23 vjeç, dhe një i mitur 16 vjeç.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte të vëna në dispozicion për organizimin e lojërave të fatit, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.     

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 7 celularë që shërbenin për këtë veprimtari, 92 600 lekë të rinj, dhe 475 euro, shuma të përftuara nga ky aktivitet i paligjshëm.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 28 shtetas janë vënë në pranga, 58 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste– 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i kërkuar në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Tempulli 2”, është kapur.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 7- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës/tentativave për vjedhje të pronës janë evidentuar 13 raste, 8 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”-1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale në fushën e krimeve kibernetike, vjedhjes së energjisë elektrike, kalimit të paligjshëm të kufijve, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e krimeve kompjuterike dhe në atë ekonomike, është kapur.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugor, me 14 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 11 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.