Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Elbasan/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”.
Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera intensivisht nga Policia e Elbasanit, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, si dhe i hetimeve të ndjekura me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, për të nxjerrë përpara përgjegjësise penale, shtetasit që prodhojnë dhe/ose shesin lëndë narkotike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan ndaluan shtetasin H. G., 66 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, pasi nga hetimet dyshohet se është implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotikëve. Gjatë periudhës hetimore, në banesën e këtij shtetasi, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
PKK Rinas/Verifikime të hollësishme, për të ndaluar shtetasit e shpallur në kërkim, që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga Republika e Shqipërisë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Identitetet”, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komisariatit të Policisë Rinas, Interpol Tiranës dhe homologëve italianë.
Pjesëtar i një grupi kriminal që shfrytëzonte për prostitucion shtetase të huaja gjatë periudhës 2008-2012 në Milano, ndalohet në hyrje 41-vjeçari.
41-vjeçari u ndalua me qëllim ekstradimin në Itali, ku është dënuar me mbi 4 vjet burgim, për këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i kontrolleve dhe intervistimeve të detajuara në hyrje/dalje dhe shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga to, ndërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës dhe homologëve italianë, u finalizua operacioni policor i koduar “Identitetet”, gjatë të cilit shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas ndaluan në hyrje të vendit, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-Auron Hashani alias Auron Samurri alias Auron Ajdinaj alias Avni Ajdinaj alias Elvis Ajdinaj, 41 vjeç.
Gjykata e Milanos e ka dënuar 41-vjeçarin, me 4 vjet, 2 muaj e 26 ditë burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë periudhës 2008-2012, ka shfrytëzuar për prostitucion në Milano, 2 shtetase të huaja.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali, ku i duhet të vuajë dhe 3 vjet, 11 muaj e 11 ditë burgim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
I vodhi me dhunë, një shumë parash taksistit me të cilin po udhëtonte dhe më pas u largua, falë ndjekjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se ditën e djeshme, rreth orës 04:00 të mëngjesit, në Rrugën e Kavajës, një shtetas i kishte vjedhur me dhunë një shumë parash, goditur me mjet prerës, taksistin me të cilin udhëtonte, dhe më pas ishte larguar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i ndjekjes së menjëhershme, në rrugën “Sandër Prosi”, është kapur nga shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shtetasi G. M., 24 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas, orët e para të ditës së djeshme, ka hipur në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, dhe gjatë udhëtimit, ka goditur me mjet prerës shoferin e taksisë, shtetasin M. K., 57 vjeç, duke i vjedhur atij një shumë parash, dhe më pas është larguar.
Si pasojë 57-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit G. M., dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Durrës/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”.
Kapet dhe vihet në pranga një 33-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera me intensitet nga Policia e Durrësit, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, si dhe i hetimeve të ndjekura me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që prodhojnë dhe/ose shesin lëndë narkotike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ndaluan shtetasin E. P., 33 vjeç, banues në Durrës.
33-vjeçari ishte shpallur në kërkim, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, pasi nga hetimet dyshohet se është implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Megaoperacioni vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 67 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 20 raste, 16 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Më tej, janë evidentuar:
-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale në fushën e falsifikimit, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
3 shtetas të kërkuar përkatësisht për falsifikim (2) dhe për keqtrajtim të të miturit, janë kapur dhe ndaluar.
1 shtetas është identifikuar si autor i një rasti në fushën e krimeve kompjuterike. Vijon puna për kapjen e tij.
Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.