DVP Shkodër
Specialistët e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. I., 45 vjeç, banues në fshatin Oblikë, pasi u kap duke transportuar me automjet, tri bagëti që dyshohet se i kishte kontrabanduar në vendin tonë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. H., 39 vjeç, dhe R. H., 52 vjeç, të dy banues në Shkodër, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një 17-vjeçar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Hot, Malësi e Madhe
Pasditen e djeshme, gjatë patrullimeve në zonë, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Bajzë kanë parë në vendin e quajtur “Peperan”, 1 shtetas (dyshohet emigrant nga Vendet e Treta) që kërkonte ndihmë, pasi ishte dëmtuar në këmbë, nga rrëzimi në pyll.
Shërbimet e Policisë kanë ndihmuar menjëherë këtë shtetas, për transportimin deri në një zonë të përshtatshme për autoambulancën, e cila e ka transportuar atë, në spital, për ndihmë mjekësore.
Ky shtetas është jashtë rrezikut për jeten! Po kryhen verifikime për ta identifikuar atë dhe për të dokumentuar ligjërisht rrethanat e rastit.