Korçë
Shiste kapsolla dhe mallra të kontrabanduara në dyqanin e saj dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari, procedohet penalisht 61-vjeçarja.
Sekuestrohen kuti me kapsolla dhe paketa me cigare, pa pullë fiskale.
Në zbatim të planit të posaçëm operacional policor dhe udhëzimit të përbashkët të 3 ministrave, për ndalimin e zhurmave në zonat e banuara dhe për ndalimin e përdorimit të lëndëve piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe me kriteret, shërbimet e strukturave të DVP Korçë dhe të Komisariateve vartëse të saj kanë vijuar me kontrolle në subjekte të ndryshme.
Si rezultat, në lagjen nr. 1, Korçë, gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin e një shtetaseje, u gjetën disa kuti me kapsolla dhe paketa me cigare pa pullën fiskale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen F. M., 61 vjeçe, banuese në Korçë, për veprat penale “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.