Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe veprimtarive kriminale, në vijim të megaoperacionit policor kombëtar të koduar “Tempulli”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë referuan pranë organit procedues, ku nisi procedimi nr.1348/2023, i cili u ndoq për disa muaj, me metoda speciale hetimi. Nga hetimet rezultoi se disa shtetas, të organizuar si grup, kryenin veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, dhe po bëheshin gati për të transportuar nëpërmjet kufirit detar, një sasi të madhe lënde narkotike kanabis, me qëllim trafikimin drejt Turqisë.Bazuar në këto informacione u organizua dhe u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “RESET”, në kuadër të të cilit, strukturat hetimore të DVP Vlorë, me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të Repartit Special “RENEA”, arrestuan në flagrancë shtetasit:
Idriz Meminaj, 39 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
Romir Meminaj, 49 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
Emanuel Meminaj, 22 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
Nertin Gjoni, 39 vjeç, banues në fshatin Babicë;
Xhuljano Gjoni, 30 vjeç, banues në fshatin Babicë.
Në vijim të operacionit u ndaluan shtetasit:
Laurent Likaj, 37 vjeç, banues në Vlorë;
Altin Meçi, 50 vjeç, banues në Patos.
Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe disa shtetas të tjerë, banues në Vlorë dhe në Tiranë, gjenealitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, për arsye hetimore. Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa, drejt shtetit turk, nëpërmjet rrugëve detare.Këta shtetas kishin përpunuar dhe ambalazhuar lëndën narkotike në magazinën e 2 vëllezërve Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj, dhe më pas, me automjetin e drejtuar nga shtetasi Nertin Gjoni, po e transportonin në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar më pas me rrugë detare, drejt Turqisë.Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të forcave pjesëmarrëse në këtë operacion është bërë e mundur që në lagjen “11 Janari”, të bllokohet automjeti që drejtohej nga shtetasi Nertin Gjoni.Gjatë kontrollit në automjet, Policia gjeti dhe sekuestroi 34 pako të madhësive të ndryshme, me lëndë narkotike cannabis sativa në formë boçeje, me peshe totale 500 kilogramë.Operacioni ka vijuar me kontrollin e magazinës, në fshatin Trevllazër, ku janë kapur në flagrancë shtetasit Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj.Gjithashtu, në vijim të operacionit janë kapur dhe disa shtetas të përfshirë në këtë rast, si dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.Gjatë kontrolleve në banesa janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri, 4 automjete dhe 8 celularë.Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni ka rezultuar se këta shtetas vepronin të organizuar në formën e një grupi , për të prodhuar, ambalazhuar dhe trafikuar lëndë narkotike kanabis, jashtë vendit.Operacioni është në vijim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
DVP Elbasan
Theu masën e sigurisë dhe u konfliktua fizikisht me një shtetas, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. C., 28 vjeç, banues në Elbasan. Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kishte dalë nga banesa, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe në rrugën “Lef Nosi”, ishte konfliktuar fizikisht me shtetasin M. P., 36 vjeç, banues në Elbasan.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 64 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, me automjetin që drejtonte, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin Gj. P., 70 vjeç, banues në Librazhd dhe për pasojë janë dëmtuar pasagjerët e dy automjeteve, 4 nga të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. S., 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
– F. F., 33 vjeç dhe R. F., 60 vjeçe (nëna e shtetasit F. F.), pasi kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së shtetasit F. F.;
-Q. M., 63 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka kallëzuar specialisti i pyjeve, se 63-vjeçari ka pushtuar 3 dynym tokë (pronë e bashkisë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Shkodër
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. T., 31 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 32 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kryer punime ndërtimi në banesën e tij, pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 60 shtetas, konkretisht: 15 shtetas janë vënë në pranga, 43 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 të tjerë janë ndaluar sepse ishin shpallur në kërkim për krime në këtë fushë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativave për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 3 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për këto veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste- 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 3 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit”, “Braktisja e fëmijëve të mitur” dhe “Shpifja”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë
-1 rast i veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Fyerja e gjyqtarit”, për të cilin vijojnë hetimet
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, është kapur dhe vënë në pranga.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.