Operacioni, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit.
Tentoi të ndihmonte 4 emigrantë që i kishte strehuar 4 ditë në një hotel Tiranë, që të kalonin ilegalisht kufirin e gjelbër me Greqinë, kundrejt pagesës, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari (shtetas nga Bangladeshi).
Sekuestrohen 1 celular dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transportimit të disa emigrantëve, në mënyrë të organizuar, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Destinacioni 1”.
Si rezultat i operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, u vu në pranga shtetasi:
M. T., 38 vjeç, nga Bangladeshi, banues në Kamëz.
Ky shtetas ka tentuar të ndihmojë 4 emigrantë që i kishte strehuar në një hotel në Tiranë duke i krijuar kushte per transportin që të kalonin ilegalisht kufirin e gjelbër Shqipëri-Greqi. Sapo ka vënë re shërbimet e Policisë, ai është larguar, por është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga pas veprimeve hetimore dhe operacionale të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 celular dhe 200 euro të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.