DVP Elbasan
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd arrestuan në flagrancë shtetasin K. Q., 33 vjeç, banues në Librazhd, pasi kishte dalë jashtë banesës, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila i kishte caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Ky shtetas më datë 14.10.2023, u arrestua në flagrancë nga Policia, pasi kishte thyer xhamin e derës së një subjekti privat, për të vjedhur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin I. Z., 40 vjeç, banues në Cërrik, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. K., 55 vjeç dhe S. P., 32 vjeç, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi S. P. ka goditur me sende të forta shtetasin I. K., i cili më pas ka dëmtuar automjetin 32-vjeçarit.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për një konflikt mes dy shtetasve, në lagjen “Xhami”, Peqin, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Elbasan shpallën në kërkim shtetasit A. C., 40 vjeç dhe L. E., 50 vjeç, të dy banues në Peqin, të cilët dyshohen se kanë qëlluar me armë zjarri gjatë konfliktit. Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan shpallën në kërkim shtetasin R. L., 25 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 22.11.2023, i ka marrë me qira automjetin shtetasit E. B., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe nuk ia ka kthyer më. Vijon puna për kapjen e 25-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.