DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Repeat”.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, dhe Komisariatin e Policisë Elbasan.
Tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash, nga një shtetas (biznesmen), nëpërmjet mashtrimit (duke u pezantuar si përfaqësues të një personi publik), vihen në pranga 2 shtetas.
Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre.
Sekuestrohen 8250 euro, 25 000 lekë, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, dhe Komisariatin e Policisë Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repeat”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një shtetas, për të përfituar prej tij, një shumë të madhe parash.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve A. Gj., 19 vjeç, R. B., 25 vjeç, të dy banues në Elbasan. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi F. L., 25 vjeç.
Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), duke iu prezantuar atij si përfaqësues të një personi publik, për të përfituar shumën 50 000 euro.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 8250 euro, 25 000 lekë, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.